Zbulohet plani, qeveria nis kthimin e Burgut të Spaçit në muze, do të shpenzohen mbi 4 milionë euro

Qeveria ka vendosur të vërë në zbatim propozimet për të ngritur një muze në burgun e Spaçit, një vend simbol i abuzimit të diktaturës në regjimin komunist.

Transformimi i Burgut të Spaçit në një muze është një hap i rëndësishëm drejt të qenit një vend përkujtues dhe një burim i mësimit për brezat e ardhshëm, duke siguruar që kujtesa e kësaj periudhe të errët të mos humbasë kurrë. Por sa do të kushtojë kjo për shqiptarët?

Deri në janar, burgu ka qenë objekt nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës, që tani është shkrirë së bashku me dy ministri të tjera, nën drejtimin e Blendi Gonxhes.

Në nëntor të vitit të kaluar, ministrja Elva Margariti njoftoi se ka një projekt konkret për rehabilitimin dhe menaxhimin e kësaj hapësire që ishte nën mbrojtjen e MK-së.

Sipas ministres projekti përfshinte rehabilitimin e 7 godinave dhe ambienteve përreth, si dhe nisjen e rehabilitimit të objekteve dhe ambienteve të burgut të Spaçit.

Në atë kohë Margariti tha se zbatimi i projektit vlerësohej në shumën 212.5 mln lekë dhe për vitin 2024 nga buxheti i shtetit ishte parashikuar një shumë prej 70 milionë lekësh.

Por shifrat duket se janë “pak” më të larta se sa deklaronte ministrja.  

Kështu sipas planit të menaxhimit, zbatimi i veprimeve të parashikuara në Planin Strategjik do të gjenerojë 4.230.800 euro kosto, duke përfshirë investimet totale dhe kostot e tjera operacionale.

Duke llogaritur edhe tre fazat e nevojshme për të arritur funksionimin e plotë të kantierit, investimi total arrin në 3.695.900 euro.

Këto investime do të kryhen në tre vitet e para, dhe nga viti i katërt e në vazhdim siti do të ketë  vetëm shpenzime shfrytëzimi.

“Shpenzimet e shfrytëzimit do të rriten me kalimin e kohës për shkak të rritjes së numrit të personelit, aktiviteteve të ofruara dhe burimeve të nevojshme për mirëmbajtjen parandaluese dhe konservimin dhe, rreth vitit të katërt, ato do të stabilizohen në rreth 140.000 euro në vit”, thuhet më tej në draft.

Investimet në burgun e Spaçit po bëhen që të ndryshohet gjendja e degradimit dhe neglizhimit në të cilin ndodhet, për ta bërë atë të identifikuar si një vend për Muzeun.

Sipas draftit është parashikuar të investohet për promovimin e frekuentimit të ish burgut si dhe mbajtjen e aktiviteteve edukative.

Sipas planit të biznesit ka dëshmi që tregojnë se muzeu nuk do të jetë fitimprurës financiarisht, e për këtë arsye nuk do të jetë tërheqës për investim.

Investimet e larta arsyetohen me argumentin se situata është njëlloj si ajo me të cilën përballen shumcia e muzeve dhe siteve kulturore në vend, ku shumë pak prej tyre janë ekonomikisht të qëndrusheëm falë të ardhurave tregtare dhe thuajse të gjithë mbahen nga fondet publike dhe kondtibutet nga tenderat.