Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë teksa kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij.
Berisha ndodhet i “izoluar” në banesë që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, i akuzuar për korrupsion për dosjen “Partizani”. Nëpërmjet avokatëve të tij, Berisha kundërshton ashpërsimin e masës së sigurisë nga “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” në “arrest në shtëpi”, të lëna në fuqi nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe Apeli i GJKKO.
Mësohet se rekursi është regjistruar më datë 20 mars, ku gjyqtari relator pritet të jetë Sokol Binaj. Ndërkohë nuk ka një datë apo orë se kur do të shqyrtohet rekursi i Berishës.
Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv” në privatizimin e kompleksit “Partizani”, ndërsa në “arrest shtëpie” ndodhet edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për të njëjtën çështje. Fillimisht ish-kryeministri u vendos nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por për shkak se nuk iu bind gjykatës, ndaj tij u mor një masë më e rëndë.
