HETIMET E SPAK/ Dhomë “Luxury” me familjen në hotelin me 5 yje në Turqi, në shtëpi Evis Berberit iu gjetën më shumë se 30 milionë lekë

Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me hetimet dhe arrestimin e kreut të ARRSH-së Evis Berberi, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Ervis Berberi, njëri prej njerëzve më të besuar të numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, do të përballet me drejtësinë, i cili sipas SPAK, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë përfitime të parregullta monetare nga kompania “NET-Group” në pronësi të Valter Begaj, nëpërmjet kompanisë “DAAM”, të kontrolluar prej tij. Por jo vetëm kaq.

Berberi sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme ka përfituar nga kompania “DAAM’, pushime në një prej resorteve luksoze në Turqi me vlerë 5 mijë euro dhe udhëtim me Charter, për të dhe familjen e tij në vitin 2020. Nga llogaria bankare e shoqërisë “DAAM”, është bërë edhe pagesa që Berberi, të pushonte në resortin, ku ai nuk do të nxirrte asnjë lekë nga xhepi për 10 ditë.

Një skenar i përsëritur ky më herët ku protagonist ka qenë ish-ministri Damian Gjiknuri, i cili sipas SPAK, ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto.

Më konkretisht gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, agjentet e BKH kanë zbuluar një faturë ku nga llogaria bankare e shoqërisë “DAAM” shpk në një bankë të nivelit të dytë është paguar shoqëria Arlo Travel Blu Tour Operator sh.p.k., me një vlerë 5.000 Euro. Sipas verifikimeve të kryera nga agjendet e BKH rezulton se shoqëria “DAAM” sh.p.k., ka paguar këtë shumë për një paketë turistike për shtetasin Evis Berberi dhe familjen e tij, përfshirë bashkëshorten dhe dy femijet e mitur. Paketa turistike për kreun e ARRSH, Evis Berberi dhe familjen e tij, ka perfshire udhëtimin me avion nga Tirana ne Antalia që sipas kqyrjes rezulton se nisja është bërë me date 12.08.2020 dhe kthimi me date 22.08.2020.

Në këtë çmim kishte të përfshirë akomodimin ne hotelin “Regnum Carya Golf & Spa Resort” ne Belek, Antalia, Turqi, me dhome “Luxury”, së bashku me ushqimin “Luxury all inclusive”. Nga procesverbali i kqyrjes dhe marrjes së të dhënave nga sistemi TIMS, rezulton se shtetasi Evis Berberi, bashkeshortja e tij, Adela Ruko si edhe dy femijet e mitur, me date 12.08.2020 kanë dalë nga territori i Republikes së Shqipërisë nëpërmjet pikes se kalimit kufitar Rinas, me linjën “Charter -Antalia 670-ll” dhe kanë hyrë në territorin e Republikes së Shqiperise me date 22.08.2020, nepermjet pikes se kalimit kufitar Rinas me linjen “Charter -Antalia 670-671”.

Ndërkohë në banesën e Evis Berberit, gjatë një kontrolli të kryer më 20 shkurt të këtij viti janë gjetur edhe shuma të mëdha parash, më konkretisht 15, 675 euro, 3.075 paund dhe 1.436,000 lekë, në total mbi 30 milionë lekë, të cilat Berberi duket se nuk i justifikon dot.

Sa i takon nisjes së hetimeve për ish-kreun e ARRSH-së, ato kanë nisur nga publikimeve ne media dhe portale të ndryshme ku shkruhet se Evis Berberi, gjatë kryerjes se detyres se tij si drejtor i Agjencise se Efiçences së Energjise si dhe drejtor i pergjithshem i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka përdorur dhe vazhdon të perdore shoqërite tregtare “Net Group” sh.p.k. dhe “DAAM” sh.p.k. për të përfituar në mënyre të paligishme interesa financiare prej tyre.

Disa orë pas publikimit të lajmit në media, Prokuroria e Posaçme doli me një informacion zyrtar në lidhje me arrestimin e kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, dhe dy miqve të tij biznesmenë, Valter Begaj dhe Ervis Lamin.

GJKKO ka caktuar për të 3 masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohen për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.