Si sot, më 20 Qershor 1920, në Paris, Avni Rustemi ekzekutoi Esad Pashë Toptanin.
Ngjarja mori vëmendje të madhe ndërkombëtare ndërsa pati një ndikim të madh në politikën shqiptare të atyre viteve.
Hulumtimet e fundit tregojnë se Avni Rustemi u pagua me fonde publike të qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës për të udhëtuar në Paris. Pas vrasjes, ai u arrestua nga autoritetet franceze por nuk u dënua.
Rustemi u kthye më pas në Shqipëri dhe nisi një aktivitet të gjerë politik, me shoqërinë “Bashkimi”, e cila cilësohej mjaft e ashpër në qendrime por edhe në veprime.
Një anëtar i kësaj organizate, 17 vjeçari Beqir Valteri qëlloi me armë në hyrje të Parlamentit, kryeministrin Ahmet Zogu i cili shpëtoi me dy plagë plumbash në trup. Një muaj më pas, Avni Rustemi u vra nga një ish mbështetës i Esad Pashës duke krijuar një rebelim politik që çoi në rrezimin e qeverisë së kohës dhe ardhjen e Fan Nolit në krye të qeverisë në Qershor 1924.