Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Çukat të Lushnjes, ku dy vëllezër janë qëlluar me njëri tjetrin pas një sherri për pronën.
77 vjeçari Nazif Musai dyshohet se ka qëlluar me armë vëllanë e tij 57-vjeçar, i cili i është kundërpërgjigjur me sëpatë dhe kosore.
Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 77 vjeçari ka marrë plagë më të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të sherrit, teksa do të pyeten edhe anëtarët e familjeve të dy vëllezërve.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë.
Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit.