Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi për herë të parë Shqipërinë në kuadër të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, pjesë e të cilit u bënë liderët e disa shteteve të rajonit dhe jo vetëm.
Zelensky mbërriti në Rinas rreth orës 23:00 të 27 Shkurtit, teksa për ta pritur në aeroport kishin shkuar ministri i Jashtëm., Igli Hasani dhe ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali. Sot në mëngjes ai u prit në Kryeministrit nga Edi Rama, me këtë të fundit që i dhuroi edhe librin e tij.
Më pas, të dy kanë pritur me radhë në tapetin e kuq përpara Pallatit të Kongreseve liderët e vendeve pjesëmarrëse në këtë Samit, mes të cilëve Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Zyra e shtypit të Presidentit ukrainas reagoi në rrjetet sociale pas takimit mes dy liderëve, duke shkruar se ishte diskutuar mundësia e prodhimit të armëve në Ballkan për të ndihmuar Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.
Pas fjalës përshëndetëse të Ramës dhe Zelenskyt, Samiti u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që ra në sy pjesëmarrja e Alex Soros, djalit të filantropit George Soros, i cili qëndronte pas Ramës, në krah të ministrit Taulant Balla.
Samiti zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, ndërsa pas përfundimit, Rama dhe Zelensky dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kryeministri shqiptar e siguroi presidentin ukrainas se Shqipëria do ta mbështeste gjithmonë, ndërsa Zelensky e falënderoi për atë çfarë kishte bërë për Ukrainën.