“Fundi i marrëzisë” në 1 Janar të vitit 2019 u trumbetua nga kryeministri Rama dhe qeveria si një nga vendimet më të mira, që do të ndihmonte familjet shqiptare të “rehabilitonin” të afërmit që kumari i kishte shkatërruar ekonominë.
Por pavarësisht ligjit, kumari lulëzoi edhe në të zezë, me kompanitë e basteve që vijuan punën, por tashmë me më pak shpenzime, pasi nuk kishte nevojë të paguhej qira për ambiente, abonime në platforma për të parë ndeshjet dhe taksa në shtet.
Vetëm 4 vite më vonë, kryeministri Rama kuptoi që “marrëzitë” e tjera të nënshkruara prej tij nuk mund të qëndronin pa “marrëzinë e kumarit”, teksa me një presion të vazhdueshëm nga KOKSH dhe disa “grupe të interesit”, paralajmëroi hapjen sërish të lojërave të fatit, por këtë herë vetëm online dhe nën kontrollin e shtetit.
Prej pothuajse një viti, ekspertët e fushës, (jo bastexhinjtë), po tentojnë të krijojnë një ligj për rikthimin e basteve sportive online, nën mbikëqyrjen e rreptë të shtetit dhe me disa kushte për kompanitë që do të marrin licencat.
Pas shumë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Financave, ligji pothuajse ishte gati për t’u miratuar, por edhe pse pritej që të futej në rendin e ditës në disa seanca plenare, kjo nuk ndodhi. Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se ligji nuk u miratua në fund të vitit 2023 për shkak se kompanitë e basteve nuk ishin dakord me taksimin që do t’u bëhej dhe me shumën e madhe monetare që duhej të linin si garanci.
Ky projektligj u kthyer sërish në Komisionin e Ekonomisë, ku gjeti edhe njëherë tjetër kundërshtimin e një socialisti, Erion Braçes. Ish-zv.kryeministri ishte një nga zërat më të fortë kundërshtues për rikthimin e lojërave të fatit, por që fjalët e tij nuk patën asnjë ndikim në vendimmarrjen e komisionit.
Në datën 8 Shkurt 2024, pasi projektligji ishte miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë, Kuvendi e futi për miratim në rendin e ditës, ku pritej votimi pro i mazhorancës i këtij ligji së bashku me të tjerët, pa asnjë debat në Parlament, edhe për shkak të aksionit opozitar.
Por për çudi, me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, projektligji u tërhoq nga votimi pa asnjë arsye.
Përse Partia Socialiste tërhoqi nga votimi një projektligj që ishte gati dhe kërkonte shumicë të thjeshtë votash?
Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se kompanitë e basteve nuk kanë rënë ende dakord me mënyrën se si do operohet në treg, për shkak se kushtet e vendosura janë jo favorizuese për ta, pasi duhen më shumë se 1.5 milionë euro për të marrë një licencë, ndërkohë që nuk do të lejohen pika bastesh.
Projektligji i ri ka disa kushte që duhen përmbushur jo vetëm për eksperiencën e kompanive dhe likujditetet, por edhe për vetë pastërtinë penale të pronarëve të këtyre kompanive. Qeveria i trembet një fuqizimi të jashtëzakonshëm siç ishte Ervis Martinaj, ndaj edhe ka vendosur këto kushte, që të ketë kontroll të plotë mbi lojërat e fatit, por kjo nuk është pranuar.
Pra, presioni i bosëve të kumarit ka detyruar mazhorancën socialiste të tërhiqet nga ky projektligj deri në momentin që pronarët e kompanive të basteve të bien dakord. Ata kanë marrë në dorë fatin e lojërave të fatit, duke dalë edhe mbi vendimin e qeverisë.