Lufta ndaj korrupsionit vijon të jetë një problematikë e madhe sa i takon Shqipërisë. Raporti i organizatës Transparency International evidenton se Shqipëria ka ngecur në luftën ndaj korrupsionit prej 5 vitesh duke mos bërë asnjë përparim.
Sipas kësaj organizate, Shqipëria renditet në vendin e 98-të mes 180 vendeve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), duke shënuar 37 pikë në raportin për vitin 2023.
Këtë të martë kjo organizatë publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë.
Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.
Një vit më parë, Shqipëria është vlerësuar me 36 nga 100 pikë sipas raportit, teksa në 2021 u vlerësua me 35 pikë.
Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në Transparency International, thotë se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”.
“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.
Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.
Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht.
Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut, duke marrë parasysh ish-ministra apo zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë, të hetuar apo arrestuar.
Po ashtu në vitin 2023, në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thuhet se korrupsioni që ka qenë i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private pengon vendit drejt progresit.
Rikujtojmë se si agjencia antikorrupsion e BE bllokoi fondet për bujqësinë nga IPARD pas një hetimi për korrupsion. Pa harruar këtu edhe ish-numrin dy të qeverisë Rama, ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion për çështjen e inceneratorëve apo edhe disa ish-kryebashkiakë socialistë që ndodhen prapa hekurave.
Duket se korrupsioni do të vijojë të jetë një “gangrenë” për vendin tonë dhe lufta ndaj tij në “vend-numëro” gjatë qeverisjes Rama.
Ky nivel i lartë korrupsioni në vend bie ndesh me disa deklarata që kryeministri Rama ka bërë në vitet e kaluara ku shprehej se koka e korrupsionit në Shqipëri është “korporata e gjykatësve e prokurorëve që kanë garantuar pandëshkueshmërinë në sistem” dhe jo politikanët.