“Ate mbrëmje e çova djalin në një festë”, flet babai i 18-vjeçarit shqiptar që vdiq duke bërë video për “Tik Tok”

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pak ditë më parë në Itali ku një 18-vjeçar shqiptar humbi jetën teksa bënte një video për në “Tik Tok” por u rrëzua në mënyrë tragjike përtokë, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë.

Lorenzo Pjetrushi u dërgua në spital ku qëndroi për disa ditë teksa ditën e djeshme ndërroi jetë për shkak të plagëve që kishte marrë.

Ndërkohë mediat italiane kanë zbardhur edhe dëshminë e babait të tij. Ky i fundit ka thënë se mbrëmjen që ndodhi ngjarja e ka shoqëruar djalin e tij në një festë ditelindje. Ndërkohë ai shton se nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas.

“Lorenzo ishte shumë i mirë, si shumë të rinj të moshës së tij. I pëlqente të luante dhe të jetonte jetën. Atë mbrëmje të së shtunës e kisha çuar në një festë ditëlindjeje në Cimadolmo, mes miqsh, e cila u mbajt rreth orës 22:00. Pastaj nuk e di se çfarë ka ndodhur. Ndoshta më pas ka dalë me kushëririn tjetër, edhe ai me origjinë shqiptare”, ka thënë babai i tij Agron për policinë italiane.

“Ne nuk kemi fjetur për tetë ditë,” shtoi ai, duke thënë se nuk ishte i qartë për dinamikën e aksidentit.

“Ndoshta gjithçka ka ndodhur si shaka, një lojë që përfundoi keq. Në makinë ishin pesë prej tyre, një Ford. E drejtonte kushëriri i djalit tim. Ai kishte vetëm dy muaj patentë, jo shumë përvojë. Por ata nuk po bënin video ose foto për të postuar në “Tik Tok”, siç thanë disa njerëz gabimisht. Se si ka ndodhur e di vetëm policia, pasi i ka dëgjuar djemtë dhe ka konfiskuar të gjithë celularët, por nuk ka gjetur foto apo video. Djali im nuk ka bërë kurrë video për “TikTok”- përfundon dëshmia e tij.