Dyshimet mbi vrasjen misterioze të Bledar Dedjas, 39 vjeçari ishte përdorues i rregullt i aplikacioneve të njohjeve online

Vrasja e 39 vjeçarit shqiptar në pyjet e Paderno del Grappa, Itali, pak ditë më parë ka tronditur opinionin publik. Bledar Dedja u gjet i masakruar me thikë në kokë dhe në trup, ndërsa plagë të mëdha ka marrë edhe në duar, në përpjekje për t’u mbrojtur nga goditjet. Nga detajet e reja që kanë bërë publike mediat italiane, ai ka qenë në lidhje jashtëmartesore me një grua tjetër 30 vjeçare shqiptare. Para hetuesve, ajo ka pranuar se e kishte njohur Dedjan në një aplikacion takimesh, para dy vitesh. Ajo u gjurmua nga hetuesit pasi këta të fundit analizuan telefonin e viktimës. Shqiptarja ishte në mesin e shumë personave që policia italiane ka marrë në pyetje për vrasjen e 39-vjeçarit. Hetimet janë fokusuar pikërisht në pistën e krimit të pasionit. Dyshimet janë se Dedja, i cili ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, bënte një jetë të dyfishtë, për të cilën bashkëshortja e tij nuk kishte dijeni. Ka dyshimet se ai ishte përdorues i rregullt i aplikacioneve të njohjeve online, që i finalizonte me takime, por dyshime ka po ashtu se ai mund të ketë pasur njohje me disa gra të tjera. Policia nuk ka ende një autor për krimin e rëndë që ndodhi në Asolo të Treviso-s. Bledar Dedja u gjet i masakruar me thikë në pyjet e Paderno del Grappa. Sipas autopsisë, ai është goditur më shumë se 20 herë me thikë, por shkaku i vdekjes u identifikua si një goditje e vetme fatale në shpinë, mjaft e fuqishme për të shkaktuar gjakderdhje të brendshme në gjoks. Hipoteza e një grabitjeje të gabuar është përjashtuar, pasi 39-vjeçarit i gjetën portofolin dhe celularin brenda makinës, 100 metra larg trupit. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të 39-vjeçarit përmes mesazheve dhe telefonatave, për të gjurmuar personin (ose personat) me të cilët ai duhej të takohej pasditen e së shtunës. Arma e vrasjes, mesa duket një thikë e madhe, nuk është gjetur ende, ndërsa plagët në krahët dhe duart e viktimës tregojnë përpjekjen e tij për t’u mbrojtur nga sulmet.