“Duam të shkojmë në 1 miliardë euro eksporte bujqësore”! Këto ishin fjalët e kryeministrit Edi Rama në nëntor të vitit 2021, dy muaj pasi kishte formuar kabinetin qeveritar për herë të tretë. Teksa prezantonte buxhetin për fermerët, këtyre të fundit ai u premtoi se qeveria do të vijonte mbështetjen ndaj tyre.
“Duam të shkojmë në 1 miliard euro eksporte. Sot jemi 400 milion. Këtë objektiv jemi të bindur që mund ta arrijmë dhe do ta arrijmë. Kemi rritur kapacitetin për të përfituar nga BE. Që shkojnë për sektorin sot jemi vendi i parë në rajon”, shprehej Rama.
Shpresa e kryeministrit, përveç financimeve nga buxheti i shtetit, ishin grantet e Bashkimit Europian nga programi IPARD, që do t’u jepte fermerëve shqiptarë subvencione të mjaftueshme për të vijuar punën e tyre.
Por në një njoftim të papritur, Bashkimi Europian njoftoi ndërprerjen e granteve të IPARD, për shkak të korrupsionit masiv që po bëhej me milionat e eurove, që nuk përfunduan te fermerët, por në xhepat e miqve të politikanëve.
Kjo ishte shenja e parë që objektivi i Ramës jo vetëm nuk do të arrihej. Eksportet bujqësore gjatë vitit 2023 u rritën me rreth 50 milionë euro, por sipas ekspertëve kjo ishte një rritje rastësore e favorizuar vetëm nga eksporti i vajit të ullirit.
“Duke gjykuar mbi realitetin e shifrave, do të thoja që ne kemi humbur tregje ndërkombëtare. Arsyeja e vetme e rritjes që unë mendoj, është se ne kemi patur një tipologji gjatë këtij viti. Kemi patur një eksport prej afërsisht 7 mijë tonë vaj ulliri. Me dhjetëra herë më shumë se në vitin 2022. Me një vlerë financiare rreth 30-35 milionë euro.
Por kjo nuk do të ndodhë më. Duhet ta themi me plot gojën që ishte një mundësi e mirë, në bazë të kushteve klimaterike, por edhe faktorëve negativë të tregjeve evropiane kryesisht, si Spanja, Italia dhe Portugalia. Prodhimi i tyre më i pakët ndikuan që ne të kemi një kërkesë më të madhe për eksportin tonë të vajit të ullirit”, u shpreh eksperti Ilir Piku në një intervistë.
Por buxheti i vitit 2024 për bujqësinë e bën edhe më të pamundur rritjen e eksporteve, pasi mbështetja për fermerët do të jetë sërish më e vogël. Pa marrë parasysh faktin se ndihma nga Bashkimi Europian do të jetë 0 (zero), qeveria ka vendosur që të ulë fondet për bujqësinë me 9%.
Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që ishin një vit më parë. Vetëm Shqipëria spikat si një vend në rajon me nivel të ulët të mbështetjes bujqësore për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj.
Ndërkohë, kompanitë eksportuese dhe prodhuese paralajmërojnë se në ditët e para të janarit do të dalin në protestë, për situatën aktuale në të cilën ndodhen. Sipas tyre, humbja e konkurrueshmërisë, rënia e vlerës së shitjeve nga dobësimi i Euros dhe rritja e kostove direkte të ndikuara nga inflacioni po shtyjnë shumicën dërrmuese të eksportuesve drejt falimentimit.
Nisur nga të gjitha këto, është mëse e qartë se objektivi i kryeministrit Rama është i pamundur, duke dështuar në një tjetër nismë të ndërmarrë nga qeveria e tij.