Sot tentoi të arratisej nga burgu! Kush është vrasësi serial Dan Hutra, autori i masakrës së trefishtë në Tiranë (Profil)

I bujshëm ishte lajmi për tentativën për arrati të Dan Hutrës nga burgu i Fierit, i konsideruar një person me rrezikshmëri të lartë, për shkak të vrasjeve që ka kryer.

Hutra kishte planifikuar arratisjen, bashkë me tre të paraburgosur, Martin Kapllanin, Geraldo Veizajn dhe Feti Kovaçin.

Në dhomën ku ishin të akomoduar, tre të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara.

Ndërkohë në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar Dan Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara.

Por plani i tyre dështoi.

Por kush është Dan Hutra, personi që terrorizoi Tiranën disa muaj më përpara?

Dan Hutra u arrestua më 1 mars të vitit të kaluar, pasi kreu masakrën e trefishtë në kryeqytet. Ai ekzekutoi 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në zona të ndryshme të Tiranës.

Më datë 1 mars, Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi.

Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.

Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg.

Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites të asaj dite. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës.Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi.

40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera

40-vjeçari nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Përpara masakrës së 1 marsit, ku mes viktimave ishte dhe ish bashkëjetuesja e tij, ai ishte dënuar për një ngjarje të vitit 2007. Konkretisht të vrasjes së bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Kukësit.