“Po fërkojnë duart duke pritur arrestimin tim”, Berisha: Edhe në Hënë të më çojnë, do ta gjej mënyrën për të bërë opozitë

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, ish kryeministri Sali Berisha tha sot se shqiptarët  janë të tradhtuar, si nga qeveria, drejtësia por edhe nga opozita “fasadë” duke iu referuar këtu PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha.

Sipas Berishës, shpresa e vetme e shqiptarëve tanimë është vetëm PD e Rithemelimit.

Ai tha se edhe nëse e arrestojnë nuk do të heqë kurrë dorë. Dhe në shtëpi, qeli apo edhe në Hënë sikur ta çojnë do ta gjejë mënyrën për të bërë opozitë.

“Jemi shpresa e vetme e këtij kombi. Sot Edi Rama, Rilindja SPAK dhe të gjithë armiqtë e demokracisë shqiptare po fërkojnë duart duke pritur arrestimin e Sali Berishës. Thonë se ky është fundit i Sali Berishës dhe opozitës. Absurde. Fundin e Berishës kanë qe në ’97 qe e përsërisin dhe janë të njëjtat persona që e thonë, po përsëri gabuan dhe ne do të fitojmë.

Sali Berisha nuk heq dorë kurrë nga mbrojta e idealeve të lirisë, opozitarizmit, programit të PD, jo në shtëpi, apo në qeli, apo ishull, por edhe në Hënë po të më çojnë do të gjej mënyrë për të bërë  opozitë dhe për të thënë të vërtetën”, tha Berisha.