50 mijë lekë, të vjetra! Ky është shpërblimi për festat e fundvitit për rreth 700 mijë pensionistë në Shqipëri, ku pjesës më të madhe të tyre lekët e pensionit nuk i dalin as për të blerë ilaçet.
Një shpërblim që nuk ka ndryshuar prej vitesh, pavarësisht se çmimet vetëm kanë pësuar rritje, duke e bërë më të papërballueshme jetesën e pensionistëve, të cilët duhet të zgjasin duart nga fëmijët për t’i ndihmuar të mbijetojnë.
Qeveria nuk la t’i shpëtojë as ky 50 mijë lekësh për të hapur megafonët e propagandës, duke menduar se qytetarët do të besojnë se ky 50 mijë lekësh është një “bamirësi” nga kryeministri Rama, dhe jo një pjesë shumë e vogël e atyre taksave që ata paguajnë çdo muaj.
Por propaganda e madhe për këtë 50 mijë lekësh bën të mendojmë se zyrtarët e qeverisë nuk ia kanë idenë se ky shpërblim nuk mjafton për të blerë as gjelin e detit për Vitin e Ri, ose më keq akoma, e dinë por nuk duan t’ia dinë.
Qeveria duhet ta dijë mirë se ky 50 mijë lekësh nuk mund të mbulojë qindra miliona euro të vjedhura nëpërmjet aferave korruptive si inceneratorët apo sterilizimi. Janë më shumë se 400 milionë euro që po grabiten nga buxheti i shtetit nga njerëz që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ku pjesë e grabitjes janë edhe ish-zyrtarë të lartë të qeverisë.
Për sterilizimin janë paguar 100 milionë dollarë që shkuan në xhepat e një biznesmeni që krijoi kompani me vetëm 1 punonjës, por miqësia me Ilir Beqajn i krijoi atij mundësinë që të grabiste paratë e qytetarëve shqiptarë.
Sot Ilir Beqaj është marrë i pandehur nga SPAK, ndërsa Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi arriti të largohej pasi u njoftua se i kishin bërë gati qelinë e burgut. Janë edhe disa ish-ministra të tjerë në hetim, të cilët janë bërë pjesë e pazareve me lekët e buxhetit të shtetit.
E teksa këta që u përmendën më sipër votuan për të rritur rrogat e deputetëve, rrogat e ministrave, rrogën e Presidentit, dyfishuan rrogën e gjyqtarëve, pensioni i pensionistëve e rritën me qindarka..
Ky është fati i pensionistëve në një vend kur flitet me superlativa për rrogën mesatare dhe jo atë minimale, në një vend ku nuk ka një ligj të saktë për minimumin jetik, në një vend ku tenderat korruptivë dalin në pah ditë pas dite dhe në një vend ku përfitimet e pushtetarëve janë më të rëndësishme se jeta e të moshuarve.
Por diçka është më se e qartë, 50 mijë lekëshi shpërblim për pensionistët nuk do të mjaftojë kurrë për të mbuluar aferat qindra miliona euroshe të qeverisë dhe zyratrëve të saj.