Ish këshilltari i tij u arrestua për vrasjen e bashkëshortes, reagon Behgjet Pacolli: Jam i tmerruar dhe i tronditur

Ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vrasjes së Liridona Murselit dhe arrestimit të ish-këshilltarit të tij, Naim Murseli.

Pacolli shprehet i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e pati njohur personalisht.

“Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë në traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të marr dënimin maksimal për këtë.” – shkruan ish-Presidenti në një postim në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Sot, fëmijët dhe familja kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës.

I përgëzoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër ( akt i pa parë në traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë.

Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj.

E pabesueshme dhe e trishtueshme.

Jam ende i shokuar!