Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të përfshirë në vrasjen e Liridona Murselit, në fshatin Sinidoll të Prishtinës, të mërkurën në mbrëmje. Mes të arrestuarve, është edhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, si i implikuar në vrasje.
Autori që dyshohet se ka kryer vrasjen makabër, Granit Plava, ka pranuar në polici veprën dhe ka deklaruar se është paguar nga bashkëshorti i Liridona Murselit për të kryer krimin. Granit Plava ka deklaruar se Naim Murseli i ka premtuar 30 mijë euro, për të kryer aktin e vrasjes. Ai ka marrë një pjesë të shumës, ndërkohë pjesa tjetër e borxhit, do t’i paguhej më vonë nga Murseli.
Naim Murseli dhe Granit Plava janë arrestuar në fshatin Rakovinë të Gjakovës. Ata akuzohen për vrasje në bashkëpunim dhe inskenim të grabitjes.
Liridona Murseli u vra me armë zjarri mbrëmjen e 29 nëntorit në makinën ku ndodhej bashkë me burrin e saj dhe dy fëmijët. Sipas versionit fillestar të burrit të saj, atyre u ishte bërë pritë nga grabitësit.