Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka gati formularin me pyetje për çdo efektiv policie, ku ndër të tjera ata do të pyeten nëse kanë përdorur ndonjëherë aplikacionin “SKY”, me të cilin komunikojnë një pjesë e madhe e grupeve kriminale.
Sipas AMP-së, efektivët që e kanë përdorur këtë aplikacion duhet ta deklarojnë, pasi në të kundërt rrezikojnë përjashtimin nga radhët e Policisë së Shtetit.
Zbërthimi i bisedave të aplikacionit “SKY” nga autoritetet belge dhe franceze kanë sjellë arrestimin e disa zyrtarëve të lartë në Policinë e Shtetit. I fundit ishte Shefi i Krimeve në Komisariatin nr.6 në Tiranë, i cili ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e narkotikëve, teksa akuzohet edhe se ka krijuar kushtet për një vrasje që nuk ndodhi.
Më herët në pranga ka rënë edhe Oltion Bistri, ish-shefi i Operacionales, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza” së bashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe disa të tjerë, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal.