Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do të ketë protesta të mëdha në vend, duke theksuar se mosbindja civile do të jetë e fuqishme.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët Berisha tha se nuk ka një vendim që protestat e opozitës të nisin më datën 8 dhjetor, por theksoi se në momentin që do të nisin, do të jenë pa kthim. Ai shtoi se protestat nuk do të jenë të zakonshme, por do të jenë nga ato që Shqipëria nuk i ka parë ndonjëherë.
“Nuk një vendim të tillë, por protestat kur të fillojnë nuk do ndalojnë. Beteja pa kthim, që do të thotë nuk do ndalojnë. Nuk do jenë protesta të zakonshme, do jenë protesta të mosbindjes civile që Shqipëria nuk ka njohur deri në sot.Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari. Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile.Parlamenti është bërë shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk”, tha Sali Berisha.