“Le të ketë edhe diplomatë që nuk e duan kryeministrin”, Alizoti skeptik ndaj kandidates për ambasadore: Nuk je për këtë punë!

Kandidatët për ambasadorë të Shqipërisë prezantojnë sot para Komisionit të Kuvendit për Politikën e Jashtme, platfortmat e tyre për postet.

Meri Kumbe, e cila kandidon për ambasadore në Izrael, me prezantimin e saj ka bërë që në Komision të lindin debatet. Madje deputeti Alizoti ia ka thënë në sy se ajo “nuk bën për këtë punë”.

Kumbe është shpreur se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit ka arritur në nivele të mira, por shtoi se ka ende potencial për thellimin e bashkëpunimit në fusha si agrokultura, siguria kibernetile dhe lufta kundër terrorizmit.

“Fatkeqësisht politika e jashtme në Shqipëri është kthyer vend qokash. Izraeli është kthyer në vend me rëndësi. Doja të shikoja në Izrael një diplomat që kishte shumë njohje. Cv-ja juaj është shumë e pasur, por mendoj se jeni në postin e gabuar. Duhet të ishit shumë mirë në Unesco. Ambasadori është një figurë e madhe, serioze e një shteti. Ndaj mendoj se nuk duhet të jetë vend qokash. Ka dhe një trupë diplomatike, që kanë vite. Diplomacia ngjan me ushtrinë dhe ka radhë. Politika e jashtme është diçka kombëtare, nuk i përket një partie, por të gjithë shqiptarëve. Duhet të ketë në politikën e jashtme edhe njerëz që nuk e duan kryeministrin, por që mendojnë edhe ndryshe nga ai. Njerëzit shumë të ditur janë dhe rebelë. Respekt për ju, po të ishte për një post tjetër po, por për Izraelin, nuk jam për ju,” tha Alizoti.

Skeptik u tregua po ashtu deputeti Gjekmarkaj, i cili u shpreh se “me Izraelin nuk kemi marrëdhënie të mira, thjesht i kemi gjallë”.

“Kur bëjmë diplomaci, bëjmë folklor…. Me Izraelin nuk kemi marrëdhënie të mira, thjesht i kemi gjallë. Nuk e di cila do jetë sfida juaj si ambasadore, do jeni atje për të mbajtur kandilin ndezur të marrëdhënieve me Izraelin, apo do të jeni atje për të çuar para marrëdhëniet siç do duhej të ishte”, tha deputeti i PD-së.

Edhe deputeti i PD Tritan Shehu ndërhyri duke pyetur Kumben nëse Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, por kandidatja nuk e ka dha një përgjigje. Ai këmbënguli duke pritur përgjigjen por pas kësaj ka reaguar drejtuesja e Komisionit, Mimi Kodheli, e cila i tha Kumbes që i sugjeronte të mos përgjigjej.