Të frymëzosh në karrige me rrota, historia e Slaven Skrobot që udhëtoi në 4 kontinente

Intervistoi: Ema Meçaj

Slaven Skrobot është një djalë i ri nga Kroacia. Që në moshë fare të vogël, pasioni i tij ishin sportet dhe noti. Por 14 vite më parë, në një ditë të nxehtë vere, ai vendosi të shkonte për zhytje me miqtë e tij. Zhytja e fundit për atë ditë do të kthehej edhe në zhytjen e fundit të jetës së tij, pasi u përplas gjatë hedhjes me një nga shokët. Aksidenti tragjik e la të paralizuar dhe i ndryshoi rrjedhën e jetës rrënjësisht. Pas një viti në spital, në pamundësi për t’u ringritur fizikisht, ai vendosi të ringrihej shpirtërisht. Filloi të udhëtonte në Evropë dhe kuptoi se udhëtimet ishin gjëja që ai donte të bënte në jetë. Për të, çdo udhëtim i ri, është një sfidë që ai mezi e pret. Ka udhëtuar në katër kontinente dhe në mbi 40 shtete në karrigen e tij me rrota, që pas aksidentit. Udhëtari i vitit 2022, sot vjen në një intervistë ekskluzive për Media Ditarin, në një rrëfim pa doreza që dëshmon forcë për të vazhduar përpara.

1- Slaven, shumë faleminderit që e pranove ftesën për intervistë. Historia jote është një prej atyre rasteve kur dhimbja kthehet në shpresë për të vazhduar përpara. Na trego pak më shumë, çfarë ndodhi realisht ditën e aksidentit tragjik?

Supozohet të ishte një ditë si gjithë të tjerat, në breg të detit. Çfarë është për të qeshur kur e mendoj ndonjëherë, është fakti se nuk duhet të ndodhesha fare atë ditë në ishullin ku ndodhi ngjarja. Kisha përfunduar një lojë volejbolli në Crikvenica dhe rastisi që një shok kaloi aty dhe më ftoi të shkonim në ishullin Krk, në vend që të ktheheshim në shtëpi, në Zagreb. Fusha e volejbollit në kampin tonë ishte e shkatërruar, ndaj opsioni i vetëm që kisha për të kaluar ditët e verës, ishte të rrija shtrirë në plazh dhe të notoja.

U mërzitëm duke qëndruar në plazh, ndaj shoku im propozoi të shkonim të bënim disa hedhje dhe zhytje nga bankina. Ishim katër shokë që po provonim hedhje dhe zhytje. Pasi ishim hedhur mjaftueshëm, u thashë shokëve që nuk mundesha dot më. Një nga djemtë u mërzit dhe më kërkoi që të bënim edhe një hedhje të fundit. Dhe realisht ajo do të ishte hedhja ime e fundit në det. Të katër ne morëm sprint 25 metër dhe u hodhëm në ujë njëri pas tjetrit, me mua që u hodha i fundit. Fatkeqësisht, shoku që u hodh i pari po qëndronte nën ujë, tek vendi ku do hidhesha unë. Pasi u lëshova, e vura re që ai po nxirrte kokën nga uji, ndaj vendosa të hiqja duart në mënyrë që mos ta godisja dhe përfundova duke e goditur me kokë. Qafa ime u thye dhe unë mbeta i paralizuar.

2- Pavarësisht të gjithave, ti e gjete forcën për të ecur përpara. Si ishte për ty periudha pas aksidentit?

Ka qenë realisht shumë e vështirë, pasi kalova një vit në spital dhe mu bë si shtëpi e dytë. Më pas jam kthyer në Zagreb. Asokohe, jetoja në katin e katërt, ku nuk kishte ashensor dhe asgjë të aksesueshme, ndaj çdo herë që dëshiroja të dilja, duhet të gjeja katër shokë që të më mbanin, të më zbrisnin dhe në kthim të më ngjisnin sërish. Shumë nga shokët e mi kishin gjithmonë e më pak kohë për të kaluar nga shtëpia, ndaj unë fillova të shpenzoja më shumë kohë me veten, në dhomën time, me mendjen time. Shumë njerëz do të thoshin që kjo nuk është gjë e mirë, por sot, njerëzit nuk e bëjnë më këtë gjë, ata realisht nuk kanë kohë për ta shpenzuar me veten e tyre. Por mua kjo gjë më ndihmoi të njihja veten time më mirë, të filloja të mendoja ndryshe dhe me optimizëm, të organizoja mendimet në kokën time dhe gjithashtu të zbuloja muzikën. Si periudhë ka qenë gjithashtu shumë frustruese, pasi përpara aksidentit isha shumë aktiv dhe merresha me shumë sporte. Krejt papritur, ditët e mia po kalonin në krevat. Duke qëndruar në rrjetet sociale e duke parë njerëzit që merreshin me sporte, udhëtonin, dilnin jashtë dhe bënin qejf, më ndezi një zjarr le ta quajmë, përbrenda. Aty e kuptova që duhet të bëja diçka për gjithë këtë situatë. Vendosa që të provoja dhe ta jetoja jetën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Por lindi pyetja ‘si?’, çfarë duhet të bëja?

3- Duket se nëpërmjet udhëtimeve, ke arritur të vazhdosh jetën tënde dhe në të njëjtën kohë, mos ta lësh pas dore pasionin që ke. Cili ishte vendi i parë që vizitove pas aksidentit?

Fillova duke udhëtuar në breg të detit dhe më pas në disa festivale muzike në Evropë. Çdo udhëtim ishte një eksperiencë tërësisht e re për mua, për trupin tim dhe një hap më tej e përpara të fundit. Pas disa udhëtimeve, kuptova që Evropa mu mërzit dhe dëshiroja një sfidë të re, diçka sa më larg, diçka të re dhe ekzotike. Më pëlqejnë shumë shkretëtirat, ndaj vendosa të shkoj në Marok dhe të sfidoj veten edhe një herë. Si të shkosh me një karrige me rrota në shkretëtirë? Si të transportosh valixhet? Si të shkosh në tualet atje? Këto ishin disa nga pyetjet e shumta që i bëra vetes, pyetja për të cilat, nuk mund të gjeja përgjigje asokohe. Nuk gjeja dot përgjigje as në ‘Google’, pasi askush në një karrige me rrota, nuk e kishte provuar më parë si gjë. Në fund të vitit, udhëtova për në Marok dhe kuptova se kisha rënë në dashuri me udhëtimet.

4- Ti ke udhëtuar në shumë vende me biçikletën tënde të veçantë për personat me aftësi të kufizuara. Në sa shtete dhe kontinente ke udhëtuar gjithsej, a mund të na japësh një numër?

Nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë për të arritur një rekord në statistikë apo për t’i vendosur një shenjë vendeve ku kam udhëtuar. Në fakt, ideja ime për të udhëtuar, nuk është të vizitoj çdo vend të botës, pasi nuk jam i interesuar t’i vizitoj të gjitha vendet. Më duket disi e cekët ajo mënyrë e udhëtimit, pasi unë si njeri vlerësoj procesin, për të shkuar më thellë, për të mësuar, për të takuar njerëz të rinj e interesantë dhe sigurisht për sfidat, për të thyer barrierat dhe për t’u vërtetuar njerëzve se gabojnë. Unë nuk udhëtoj vetëm në karrigen me rrota, por udhëtoj në çdo mënyrë të mundshme. Nuk di të të jap një numër të saktë, por kam vizituar katër kontinente dhe rreth dyzet vende.

5- Cilat janë vështirësitë kryesore që ke hasur përgjatë udhëtimeve?

Për mua personalisht, është transporti, aeroportet, aeroplanët, akomodimi dhe tualetet. Çdo gjë tjetër më pëlqen si sfidë. Më pëlqen të planifikoj, organizoj dhe të mësoj për vende të reja përpara udhëtimit dhe përpiqem të bëj sa më mirë kërkimet e mia, për ta shijuar udhëtimin sa më shumë që të jetë e mundur.

6- A preferon të udhëtosh vetëm, apo është dikush që të shoqëron?

Sa do të doja të mund të udhëtoja vetëm, por jam gjithmonë i varur, nga të paktën një person. Kështu që gjithmonë duhet të gjej dikë që të udhëtojë me mua, gjë që me raste, mund të jetë mjaft e vështirë.

7- Gjatë udhëtimeve, si janë kushtet e hoteleve ku ti ndalon apo infrastruktura për personat me aftësi të kufizuara? A ka ndonjë vend që të ka bërë përshtypje për mirë?

Unë zakonisht udhëtoj në vende të cilat mbahen që nuk kanë shumë kushte të arritshme, ndaj akomodimet janë zakonisht të njëjta. Problemi më i madh për ta është mungesa e informacionit dhe pamundësia për të përcaktuar nëse vendi është i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara. Për shembull, shërbimet e hoteleve nuk ta tregojnë tualetin e plotë, kështu që shumë herë, më duhet të kontaktoj akomodimin, të kërkoj foto dhe të sigurohem që është në rregull. Përshtypja më e mirë për momentin për kushtet e hoteleve dhe infrastrukturën për personat me aftësi të kufizuara, ishte në Singapor dhe Australi.

8- Dy vite më parë, fillove një udhëtim të veçantë, për një kauzë që e ke pranë zemrës, duke mbledhur para për të mundësuar katër biçikleta si e jotja për personat me aftësi të kufizuara. Si shkoi ky udhëtim? Cilat vende vizitove dhe si i mblodhe fondet? Na trego pak më shumë.

Dy vjet më parë, u nisa në një udhëtim me biçikletën time nga pika më veriore bregdetare e Kroacisë me një plan për të çikluar 1000 km deri në pikën më jugore bregdetare të Kroacisë. I vura synim vetes që të mbledh 25000 euro për katër biçikleta dore adaptive, për personat me aftësi të kufizuara, e t’i bëj të lumtur, njësoj si më bënë ndjekësit e mi, kur më blenë timen. Kisha disa shokë që më shoqëruan. Pasi kaluam 1000 km me biçikletë, vendosëm të vazhdonim dhe kaluam me biçikletë në të gjithë Malin e Zi, Shqipërinë, Greqinë dhe Turqinë, duke jetuar në një furgon kampi për gjysmën e vitit. Kemi çikluar 3500 km dhe kemi ecur me furgonin tonë kamper për më shumë se 20000 km.

9- Gjatë udhëtimit tënd, ndalove edhe në Shqipëri. Si tu duk Shqipëria? Cilat vende pate mundësi të vizitoje?

Gjëja qesharake është se para se të hyja në Shqipëri, ishte vendi që kisha më shumë frikë. Të tjerët ma kishin fiksuar këtë, duke më thënë se do të kisha probleme të mëdha me shoferë të çmendur dhe qen të egër, që mund të më sulmonin në çdo moment, në të gjithë vendin. Kisha shumë frikë nga fakti që një qen mund të më sulmonte dhe të më kafshonte, por pavarësisht kësaj, hyra në Shqipëri, një vend që më dëshmoi se si njerëzit e kishin gabim dhe se nuk duhet ta bazosh mendimin tënd në mendimin e të tjerëve. Sapo hyra në Shqipëri, kuptova se Shqipëria do të ishte kulmi i të gjithë udhëtimit dhe pjesa që do të mbaja më shumë mend. Njerëzit ishin të sjellshëm, na ndihmuan gjatë gjithë kohës kur udhëtuam, na jepnin fruta, ujë, na njihnin nga lajmet sepse isha në lajmet shqiptare, na linin të karikonim telefonat në shtëpitë e tyre dhe disa madje dhanë edhe para për kauzën tonë. Njerëzit patën të drejtë vetëm për shoferët se ata ishin disi të çmendur, por nuk kishte asnjë qen që të na ndiqte. Gjë që në Greqi na ndodhi çdo ditë. Pra, Shqipëria dhe sidomos njerëzit ishin të mrekullueshëm. E duke qenë kaq të sinqertë dhe të sjellshëm, më krijuan një perceptim se sa pak turistike kanë qenë disa vende dikur.

10- Ti ke gjithashtu një blog udhëtimesh, ku vazhdimisht shkruan për vendet që viziton dhe eksperiencat e ndryshme. Si lindi ideja për ta krijuar si blog dhe si të ka ndihmuar të shkruarit ndër vite?

Pasi udhëtimit në Marok, pashë një konkurs udhëtimi për të shkruar një histori udhëtimi që mund të ndryshojë jetën tuaj, ndaj aplikova për udhëtimin tim në Marok. Historia ime fitoi mes 400 historive të tjera dhe unë fitova gjithashtu dy bileta avioni për në Australi. Pasi fitova, shumë njerëz më kontaktuan duke më mbështetur dhe duke më bindur të vazhdoj të shkruaj për udhëtimet e mia. E pashë si një shans për të bërë diçka që dua, për të fituar disa para dhe për të frymëzuar dhe motivuar njerëzit e tjerë. Edhe pse kisha frikë të isha personazh publik, pyeta veten: “Nëse jo tani, kur?”.

11- Je shpallur udhëtari i vitit për 2019-2020 dhe ke marrë çmimin “Krenaria e Kroacisë” në vitin 2022. Si je ndjerë në ato momente?

E vërtetë. Edhe projekti im për udhëtimin me biçikletë ka marrë çmimin për projektin më të mirë në vitin 2022. Përveç kësaj kam qenë sërish udhëtar i vitit 2022 në Kroaci dhe në po atë vit, kam marr çmimin “Krenaria e Kroacisë”. Gjithë këto çmime kanë qenë të lidhura me Kroacinë, por ai që vlen më shumë për t’u përmendur ishte çmimi për udhëtarin më të mirë në botë me aftësi të kufizuara, në vitin 2022, nga ‘Nomad Mania’. Edhe pse kam fituar disa çmime, nuk ka qenë kurrë për to. Për mua, ato janë vetëm prova që po bëj gjëra të mira dhe një provë që njerëzit e shohin dhe e vlerësojnë atë që po bëj.

12- Slaven, je gjithmonë duke udhëtuar, ndaj për ta mbyllur këtë intervistë së bashku, po të pyes, cili është destinacioni yt i radhës?

Do të doja të udhëtoja në Amerikën e Jugut për dy deri në tre muaj, duke filluar nga janari 2024. Jam ende duke kërkuar për shoqëruesin tim të udhëtimit.