Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”
Joshja nga Bashkimi Evropian është diçka e veçantë. Për vendet në kufi me bllokun, anëtarësimi është një aspiratë që s’mund të nënvlerësohet. Ata që mbështollën trupat e tyre me flamurin e BE-së gjatë protestave të mëdha kundër regjimit në Kiev 10 vjet më parë, dhe ata që valëvitin sot flamurin evropian në Moldavi apo Gjeorgji, e bëjnë këtë sepse besojnë se anëtarësimi në BE u jep një të ardhme demokratike.
Se i sjell ata në Evropë, sepse e shohin Evropën si destinacionin e tyre përfundimtar. Megjithatë, nëse Brukseli synon të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, Moldavinë, Bosnje Hercegovinën dhe t’i japë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat, BE-ja në formën e saj aktuale është e papërgatitur.
Ajo nuk mund të mbrojë dot veten. Dhe është e paqartë për mbrojtjen e shtetit të së drejtës në shtetet e saj anëtare. Kur prezantoi publikisht më 8 nëntor për Paketën e re të Zgjerimit, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shmangu çdo deklaratë se BE-ja duhej të ndreqte të metat e saj përpara se të zgjerojë sërish kufijtë e saj.
Mund të ndodhë që rekomandimet e KE-së, të hasin në rezistencën e disa shteteve anëtare në samitin e Këshillit Evropian që do të mbahet në dhjetor. Cilido qoftë rezultati, realiteti është se projekti i Bashkimit Evropian nuk ka përfunduar ende. Zgjerimi i ardhshëm, duhet të jetë katalizatori që do ta përfundojë atë.
Bashkimi Evropian nisi si një projekt paqeje. Luftërat në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990, duhej ta kishin tronditur BE-në dhe nxjerrë nga njëfarë vetëkënaqësie apo supozimi që kishte pasur për dekada, se ajo paqe nuk kishte nevojë të mbrohej. Blloku themeloi në vitin 1993 Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP).
Por asaj i mungonte ambicia si dhe aftësitë e nevojshme për ta mbrojtur atë projekt paqeje. Pas luftën e Rusisë kundër Ukrainës, fillimisht në vitin 2014, dhe më pas një në shkallë të plotë në shkurt 2022, qeveritë evropiane arritën të kuptojnë se ukrainasit jo vetëm po e mbronin vendin, pavarësinë dhe sovranitetin e tyre, por edhe sigurinë e Evropës.
Për këtë arsye, zgjerimi i ardhshëm duhet të ndryshojë profilin, dhe në fakt arsyen e ekzistencës së BE-së në dy mënyra kryesore. Së pari, duhet të mbrohet projekti i paqes. Kjo nënkupton që BE-ja duhet ta pranojë se nëse nuk e merr seriozisht sigurinë e saj, e ardhmja e saj është në rrezik.
Kjo gjë nuk ka të bëjë me konkurrencën me NATO-n apo forcimin e aftësive. Por me pranimin se siguria dhe siguria e bllokut, varen nga aleanca transatlantike, dhe se evropianët duhet të forcojnë anën e tyre të kësaj marrëdhënieje. Në gjendjen aktuale, Evropa po përballet shumë dobët me epokën e pas Luftës së Ftohtë.
Ajo ka nevojë ta forcojë aleancën transatlantike, duke e modernizuar atë. Dhe që ta bëjë këtë, Brukseli duhet të pranojë se paqja kërkon më shumë sesa një fuqi të butë; ajo kërkon aftësi ushtarake. Nëse lufta e Rusisë kundër Ukrainës, nuk do ta ndryshojë mentalitetin e BE-së dhe vendeve anëtare të saj, atëherë unioni do të ketë dështuar të përfundojë atë që duhet të ishte një evolucion natyror për një lojtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sfida e dytë me të cilën përballet BE-ja, teksa po merr në shqyrtim mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm, është se si të përballet me të metat e saj të brendshme, sidomos në lidhje me sundimin e ligjit dhe korrupsionit. Mënyra përmes të cilës Hungaria dhe Polonia e kanë sabotuar sundimin e ligjit dhe gjyqësorin, polarizuar shoqëritë e tyre, për të mos përmendur korrupsionin dhe abuzimin me fondet e BE-së, veçanërisht në rastin e Hungarisë, i kanë dhënë një imazh të keq zgjerimit të unionit.
Dhe për këtë, udhëheqësit e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare, duhet të fajësojnë vetëm veten e tyre. Me kalimin e viteve, kur u bë e qartë se si qeveria Fidesz në Budapest dhe qeveria e udhëhequr nga partia Ligji dhe Drejtësi në Varshavë po minonin sundimin e ligjit, BE-ja u përpoq t’i përdorte traktatet për të ndalur erozionin e pavarësisë së gjyqësorit dhe elemente të tjera themelore të demokracisë.
Por mungesa e vullnetit politik, aftësia e shteteve anëtare për t’i përdorur vetot e tyre për të bllokuar vendimet dhe akoma më keq, përdorimi i shantazhit – Hungaria kërcënon të bllokojë një paketë tjetër financiare të BE-së për Ukrainën, nëse Brukseli nuk do të heqë pezullimin mbi disa miliarda euro për Budapestin nga Paketa e Rimëkëmbjes nga Covid – e ka sabotuar angazhimin e BE-së për të ruajtur vlerat demokratike në shtëpinë e saj.
Tashmë që në rendin e ditës është një zgjerim i ri, BE-ja duhet të jetë e qëndrueshme, konsekuente dhe e guximshme në trajtimin e shteteve anëtare aktuale, dhe më pas të anëtarëve të rinj. Për të shmangur gabimet që ka bërë BE në lidhje me anëtarët e saj, duhet të zbatohen kushtëzim të rrepta për anëtarët e ardhshëm.
Kushtëzimi nuk duhet të jetë i negociueshëm. Dhe institucionet nuk mund të dorëzohen ndaj shantazheve. Pra BE-ja duhet të përfundojë punët e saj ende të papërfunduara, dhe duke ta bëjë këtë tani. Ajo duhet të merret me çështjet e mbrojtjes, me projektin e paqes dhe ruajtjen e demokracisë brenda bllokut. Kjo është ajo për të cilën protestuan ukrainasit 1 dekadë më parë në sheshin Maidan, dhe për të cilën po luftojnë ende sot.