Kukësi zbardhet nga dëbora, temperaturat bien ndjeshëm

Ashtu siç ishte parashikuar për fundjavën, reshjet e dëborës kanë nisur në zonat malore ndërsa temperaturat pritet të shkojnë në minus. Veriu i vendit dhe sidomos qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës, ku në zonat e thella malore shkon deri në 20 centimetra. Nga bashkitë Kukës Has dhe Tropojë nuk raportohet për ndonjë problematikë emergjente.

Sipas informacioneve, qarkullimi i mjeteve vazhdon normalisht në rrugët nacionale ndërsa subjektet kontraktore po punojnë gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç Njësisë Administrative Shishtavec, Topojan dhe Zapod bashkia Kukës, Njësisë Administrative Golaj dhe Gjinaj bashkia Has dhe Njësisë Administrative Tropojë e vjetër dhe disa fshatra Njësisë Administrative Bytyq bashkia Tropojë.

Edhe në Kosovë bora ka mbuluar një pjesë të madhe të territorit të vendit gjatë natës, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm.

Policia e Kosovës iu ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të përdorin goma dimri ose zinxhirë.