Pas ambasadës së SHBA dhe asaj të Britanisë ka reaguar edhe delegacioni i BE në Tiranë lidhur me tensionet dhe ngjarjet e fundit në Kuvend.
Të hënën mazhoranca miratoi në parim për vetëm 4 minuta buxhetin e shtetit për vitin 2024, ndërsa opozita protestonte siç edhe kishte njoftuar.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në një reagim në Facebook shkruan se Parlamenti funksional është shtylla qëndrore për anëtarësimin në BE ndërsa kujton se dialogu mes palëve është shumë i rëndësishëm dhe në interes ët qytetarëve shqiptarë.
“Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, shkruhet në reagim.
Deputetë të opozitës, kanë zgjedhur bllokimin e seancave të parlamentit, por dhe pengimin e punës së komisioneve parlamentare, si shenjë proteste ndaj shkeljes së të drejtave të kushtetuese nga ana e shumicës. Mazhoranca ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga deputetët e djathtë, për disa shkelje që këta të fundit konstatojnë.