Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin francez France 24, ku është pyetur për çështjen Beleri dhe marrëveshjen me Melonin për emigrantët. Lidhur me “bllokadën” që Greqia po i bën Shqipërisë në BE, për shkak të moslirimit të Belerit dhe moslejimit të tij për t’u betuar si kryebashkiak, Rama përsëriti se çështja i përket drejtësisë. Kryeministri u shpreh se bllokimi për këtë çështje nuk do të qëndrojë pasi nuk do të ishte serioze.
Rama tha se kjo çështje nuk është diskutim për minoritetet, pasi edhe kundërshtari i Belerit ishte shqiptar me origjinë greke.
Pjesë nga intervista:
– Z. Rama Shqipëria juaj ka probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian. Greqia po bllokon letrën e 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.
-Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!