Trupat izraelite janë të vendosura të avancojnë kudo ku gjendet Hamasi, përfshirë pjesën jugore të Rripit të Gazës. Këtë e konfirmoi një zëdhënës ushtarak, mes indikacioneve në rritje se një ofensivë në pjesën jugore mund të jetë e pashmangshme. Pasi detyruan qindra mijëra palestinezë të largoheshin nga veriu për në jugun e Rripit të Gazës, tashmë izraelitët po kërkojnë largimin e plotë të palestinezëve nga territori autonom.
Izraeli ka përgënjeshtruar paraditen e sotme lajmin se kishte dhënë urdhër që një spital plot me të sëmurë të evakuohej, pasi pranë tij do të nisnin bombardimet edhe në jugun e Gazës, brenda një ore.
Në këtë spital rreth 450 pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa të tjerët kanë nisur të zhvendosen me urgjencë, pas një njoftimi që morën. Megjithatë Izraeli thotë se kishin rënë dakord me një kërkesë nga drejtori i spitalit në Al-Shifa për Gazanët që donin të evakuoheshin, për ta bërë këtë nëpërmjet një “rruge të sigurt”. Njerëzit janë zhvendosur në jugun e Gazës për t’u shpëtuar bombardimeve, por pas këtij urdhëri ata duhet të ikin fare nga Gaza.
Trupat izraelite kanë kërkuar në spital, ku thonë se Hamasi ka një qendër komandimi në tunelet nën tokë. Ata kanë gjetur disa depo armësh, por deri më tani nuk kanë dhënë prova për një qendër komandimi të madh.
Një numër i madh personash të zhvendosur janë strehuar në spital, ku kushtet janë të dëshpëruara pas luftimeve intensive në zone, pranë kufirit me Egjiptin, ku sipas autoriteteve palestineze janë goditur edhe kampet e refugjatëve.
Bilanci i kësaj lufte sa vjen e bëhet më tragjik. Mbi 16 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza në 43 ditë luftime.
Shifrat raportohen nga qeveria e Hamasit. Mediat shkruajnë se të paktën 3700 persona, të vrarë në bombardimet izraelite, janë ende nën rrënoja.
Izraeli ka rënë dakord të lejojë dy kamionë me karburant në ditë në Gaza, të cilat këshilltari i sigurisë kombëtare të vendit thotë se do të parandalojnë një shembje të sistemit të ujërave të zeza dhe rrezikun e sëmundjeve për trupat e tij.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka pranuar se forcat izraelite nuk kanë qenë “të suksesshme” në minimizimin e viktimave civile në Gaza, por fajësoi Hamasin për përdorimin e njerëzve si mburoja njerëzore.