14 Nëntori i vitit 2019 do të ishte dita kur do të fillonte një nga pandemitë më të mëdha që ka njohur bota vitet e fundit, COVID-19.
Raportet e papublikuara zyrtarisht të qeverisë kineze, sipas mediave vendase, tregojnë se rasti i parë i infektimit me koronavirus u regjistrua në 17 Nëntor 2019, ndërsa “pacienti 0” do të ishte një 55 vjeçar nga Hubei.
Infektimet fillimisht do të ishin në shifra të ulëta, ku do të raportoheshin mesatarisht 5 infektime në ditë në Kinë, ndërsa në muajt pasardhës pandemia do të përhapej në të gjithë botën. Viktima e parë e COVID-19 do të regjistrohej në 11 Janar 2020, kur një 61 vjeçar humbi jetën si pasojë e simptomave të koronavirusit. Mediat kineze thonë se ai ishte një klient i rregullt i marketit ku dyshohet se nisi e gjithë pandemia.
Por si ndikoi pandemia COVID-19 në të gjithë botën?
Pothuajse asnjë shtet nuk arriti të ishte i paprekshëm nga pandemia, por në disa vende përhapja e virusit arriti të krijonte probleme shumë të mëdha. SHBA, Italia, Britania e Madhe, Kina, Spanja, Franca dhe disa vende të tjera të fuqishme, pavarësisht ekonomive të forta, pothuajse u dorëzuan përpara virusit, për shkak të numrit të lartë të infektimeve dhe vdekjeve çdo ditë.
Ekonomia gjatë pandemisë pësoi vetëm rënie, shumë fabrika dhe kompani të mëdha falimentuan, ndërsa miliona njerëz në të gjithë botën humbën punën e tyre. Spitalet e tejmbushur nuk arrinin që të përballonin fluksin e madh të pacientëve, teksa shumë qytetarë ndërruan jetë në shtëpitë ë tyre, në pamundësi për të marrë shërbimin mjekësor.
COVID-19 nuk toleroi asnjë, duke iu marrë jetën jo vetëm të rriturve, por edhe foshnjave dhe fëmijëve. Shkollat gjatë pandemisë u mbyllën, ndërkohë që në të gjitha vendet filloi karantinimi i qytetarëve, që do të lejoheshin të dilnin vetëm për të blerë gjërat bazike.
Shifrat e COVID-19 deri më tani tregojnë se janë infektuar 697.933.695 njerëz në të gjithë botën, ku fatkeqësisht 6.939.085 kanë humbur jetën.
Pandemia në Shqipëri
Fokusi i të gjitha mediave në Shqiëpri dhe në botë ishte te pandemia që kishte “pushtuar” botën, ndërsa në Shqipëri rastet e para do të regjistroheshin në muajin Mars.
Ishte data 9 Mars, kur në orët e vona të mbrëmjes, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në vendin tonë ishin konfirmuar dy rastet e para me COVID-19. Babë e bir të ardhur nga Italia kishin shfaqur simptoma të koronavirusit, ndërsa pa testit të kryere, rezultuan pozitiv me virusin vdekjeprurës.
Pas rasteve të para, çdo ditë e më shumë filluan të shtoheshin infektimet, aq sa në Shqipëri po raportoheshin shifra të mbi 1000 infektimeve ditore, ndërsa rritej frikshëm edhe numri i viktimave. Pandemia përpos propagandës së qeverisë e gjeti shëndetësinë në vendin tonë të papërgatitur.
Spitalet rajonalë ku mungonin edhe kushtet bazë të higjienës nuk mund të trajtonin raste të tilla, ndaj të gjithë pacientët niseshin drejt Tiranës, ku spitali Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” pritën mijëra pacientë, pavarësisht se kushtet nuk ishin nga më të mirat.
Shqipëria, ashtu si e gjithë bota do të futej në karantinë. Aeroporti dhe portet u mbyllën, asnjë qytetarë nuk lejohej të vinte dhe të ikte nga Shqipëria, pothuajse njësoj si në komunizëm, por këtë herë armiku ishte vdekjeprurës.
COVID-19 bëri që kryeministri Edi Rama të merrte rolin e një regjisori, ku nëpërmjet njoftimeve në rrjetet sociale, u tregonte shqiptarëve se kur duhet të dilnin dhe kur duhet të qëndronin në shtëpi, a thua se virusi e kishte infektimin me orar.
Tenderat gjatë pandemisë ishin të shumtë, teksa Ministria e Shëndetësisë shpenzonte miliona euro me pretekstin e blerjeve të materialeve për sistemin shëndetësor, ndërkohë që tenderat kryheshin në fshehtësi, por që më pas u denoncuan me radhë nga opozita, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë hetim.
Mijëra shqiptarë humbën punën e tyre për shkak të karantinës, teksa “pagat e luftës” së dhëna nga qeveria nuk mjaftonin, pasi ishin shumë herë më të vogla se ndihmat e shteteve të tjera për qytetarët e tyre. Shumë biznese falimentuan, ndërsa të vetmit që përfituan ishin farmacistët dhe biznesmenët që përfituan tendera nga Ministria e Shëndetësisë, duke grabitur miliona euro nga buxheti i shtetit.
Zyrtarisht, në Shqipëri janë infektuar 334.726 persona, teksa fatkeqësisht 3602 prej tyre nuk arritën ta fitonin betejën me koronavirusin.
Sot duket se bota e ka fituar betejën me pandeminë e frikshme që ndryshoi jetën e qindra miliona njerëzve në mbarë botën. Kjo pandemi do të mbetet gjatë në mendjen e kujtdo, pasi frika e atyre viteve ishte e madhe, jo vetëm për shëndetin personal, por edhe ëpr jetën e të afërmve.
Shqiptarët do të kujtojnë edhe si qeveria nxori ushtrinë në rrugë për të luftuar me virusin, do të kujtojnë edhe njoftimet nga facebooku i kryeministrit Edi Rama. Sigurisht që nuk do të harrohen edhe raportimet “live” nga spitali Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, kur familjarë të pacientëve me lot në sy nuk dinin gjendjen e të afërmve të tyre, nëse ishin gjallë apo virusi ua kishte marrë jetën.
Nuk mund të harrohen edhe përfituesit e mëdhënj të kësaj pandemie, duke nisur nga “Tirja”, sanitarja e Infektivit që shfrytëzonte dhimbjen e familjarëve dhe u merrte lekë për t’u shërbyer të sëmurëve, dhe duke përfunduar te miliona eurot që u dhanë për oligarkët e shëndetësisë.