Këtë të hënë, nisi hetimi i çështjes në gjyqin “Pharmaceutica”, nga Gjykata e Apelit në Liège, Belgjikë. Kjo çështje e madhe e trafikut ndërkombëtar të drogës përfshin shumë të pandehur, ndër ta edhe Dries L., një 44 vjeçar, banues në Comblain-au-Pont, i konsideruar si vendimmarrës i organizatës kriminale, që importonte drogën në laboratorët në Ferrières dhe Modave.
Dries L. u dënua me 12 vjet burg, por e kundërshtoi vendimin dhe deklaroi se nuk mund të flasë në detaje për këtë aferë, për shkak të rrezikshmërisë së organizatës.
“Është një organizatë e madhe. Nuk mund të flas për liderin e saj që është shqiptar, ndërsa familja ime jeton në Shqipëri. Kam marrë pjesë në aktivitetet e kësaj organizate, por nuk kam dhënë urdhra apo direktiva. Kam marrë urdhra dhe kam qenë i pranishëm në një rol mbikëqyrës. Misioni im ishte të shikoja dhe të raportoja. Por unë nuk e preka kokainën.” – tha ai në gjykatë.
Lidhur me këtë çështje, policia ka sekuestruar rreth 1.9 ton kokainë për një vlerë prej 80 milionë eurosh.