E njohur si “anti-shqiptare”, kryeministri britanik shkarkon Suella Braverman pasi ofendoi protestuesit pro-Palestinës

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka shkarkuar nga detyra sekretaren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Suella Braverman, pas komenteve të saj mbi protestuesit pro palestinezë.Të dielën ajo  kritikoi qëndrimin e policisë ndaj protestuesve të cilët i quajti kriminelë plot urrejtje. Braverman është e njohur po ashtu për retorikën e saj kundër emigrantëve, e veçanërisht kundër shqiptarëve, të cilët nuk ka ngurruar shpesh t’i cilësojë si kriminelë.

Sipas saj protestat pro-palestineze në vend “nuk mund të vazhdojnë”, duke pretenduar se ato janë “të ndotura me urrejtje, dhunë dhe antisemitizëm”.

“Këngët e liga, nxitëse dhe në disa raste, qartësisht kriminale, pankartat dhe mjetet e tjera të ekspozuara hapur në marshim shënojnë një nivel të ulët të ri. Antisemitizmi dhe format e tjera të racizmit së bashku me vlerësimin e terrorizmit në një shkallë të tillë janë thellësisht shqetësuese”, shkroi ajo.

Duke theksuar se “veçanërisht hebrenjtë ndihen të kërcënuar”, ajo tha se nevojiten veprime të mëtejshme. “Kjo nuk mund të vazhdojë. Javë pas jave, rrugët e Londrës po ndoten nga urrejtja, dhuna dhe antisemitizmi. Anëtarët e publikut po sulmohen dhe frikësohen”, tha ajo. Për sa kohë që Braverman ka qenë sekretarja e shtëpisë së Rishi Sunak, ajo ka pasur një licencë për të thënë të pathënën. Ka thënë gjëra në publik, që disa nga kolegët e saj do të guxonin të thoshin vetëm privatisht.

Rrugët e Londrës të shtunën u vërshuan nga protestuesit në solidaritet me palestinezët që marshuan drejt ambasadës së SHBA-së për të bërë presion ndaj Ëashingtonit për një armëpushim të menjëhershëm në luftën midis Izraelit dhe grupit të rezistencës palestineze Hamas.

Turma e madhe u mblodh në “Hyde Park” të Londrës për të protestuar kundër Izraelit dhe të gjitha qeverive që ende nuk kanë bërë thirrje për armëpushim në Gaza.

Izraeli ka kryer sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, përfshirë spitalet, rezidencat dhe objektet e adhurimit, që kur grupi palestinez Hamas nisi sulm ndërkufitar më 7 tetor.

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e vazhdueshme izraelite ka tejkaluar 11.100, përfshirë më shumë se 8.000 gra dhe fëmijë, tha të dielën zyra qeveritare për media në Gaza.

Sipas shifrave zyrtare, numri i izraelitëve të vdekur është rreth 1.600.