Zgjerimi i ri i BE-së, sabotim i ambicieve perandorake të Vladimir Putinit

Nga Paolo Valentino “Corriere della Sera”

Ursula Von Der Lejen bëri mirë që foli për një ditë historike, teksa paraqiti për mediat raportin me të cilin Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimit Evropian me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.

Tre ish-republika të Bashkimit Sovjetik, me “kokën” e federatës sovjetike siç e përcaktoi Lenini dikur Ukrainën, po shohin tani hapjen e dyerve të Evropës. Ajo që ka lëshuar Brukseli me këtë lëvizje, është një shigjetë që godet në zemër ambiciet perandorake të Vladimir Putinit.

Natyrisht, Von Der Lejen nënvizoi se të tria vendet, duhet të përfundojnë procesin e reformave të nevojshme për t’u ulur në tryezën e negociatave, në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, rolit të oligarkëve dhe mbrojtjes së liris së medias.

Por rruga drejt një zgjerimi të ri të madh është tashmë e qartë. Dhe së shpejti, pavarësisht shumë vështirësive, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova – të cilat kanë qenë në pritje apo në bllokim negociatash prej një kohë të gjatë, mund të përshpejtojnë rrugën drejt hyrjes në union.

Megjithatë, sa për të cituar një varg të famshëm të një kënge të grupit Beatles, do të jetë një “rrugë e gjatë dhe plot zigzage”. Kjo jo vetëm për shkak të kompleksitetit të negociatave shumë teknike dhe plot gracka, të lidhura me prapambetjen ekonomike të këtyre shteteve në krahasim me BE-në, me peshën e historisë që dikton marrëdhëniet e këqija mes disa prej tyre apo me tensionet e vazhdueshme të brendshme etnike.

Por mbi të gjitha në rastin e Ukrainës, e cila do të renditej e pesta për nga popullsia në union, do të ishte hera e parë që një vend në gjendje lufte, do të negocionte hyrjen e tij në Bashkimin Evropian. Për më tepër, sa për të pasur një ide mbi “cunamin” që do të shkaktonte hyrja e Kievit në buxhetin e përbashkët.

Nëse anëtarësimi do të ndodhte sot, do të kushtonte plot 186 miliardë euro në 7 vitet e arsdhshme, nga të cilat 97 miliardë vetëm për politikën bujqësore. Për t’i bërë vend Ukrainës në union, vendet e tjera anëtare do të duhet të heqin dorë nga 20 për qind të kuotave të tyre aktuale, dhe për Italinë kjo do të thoshte minus 9 miliardë euro.

Do të thuhet me shumë të drejtë, se ky është çmimi që duhet paguar për të përmbushur  premtimin për liri, demokraci dhe zhvillim ekonomik. Një investim, pa të cilin Evropa nuk do të kishte një dimension strategjik, e cila është edhe premisa e çdo lloj ambicieje gjeopolitike.

Por ndoshta thelbi qëndron diku tjetër. Në fakt, negociatat me Kievin apo ato me Tbilisin, Kishinaun dhe Beogradin, nuk do të jenë më të vështirat. Të tilla mund të jenë negociatat midis vendeve anëtare aktuale, për të lejuar që unioni të mos mbetet më një bllok vazhdimisht i paralizuar në vendimmarrje, kur të zgjerohet nga 27 që ka aktualisht në 37 anëtarë.

Pra duhet të mos përsëritet “mëkati origjinal” i kryer midis 2 shekujve, atij të kaluar dhe këtij aktual, kur ne i shpërfillëm paralajmërimet (dhe propozimet specifike) të Zhak Delor, duke zgjedhur zgjerimin pa thellimin e integrimit aktual. Duke mirëpritur siç ishte e drejtë vendet e Evropës Qendrorë dhe Lindore që sapo kishin dalë nga zgjedha sovjetike. Por pa çuar njëkohësisht përpara procesin e integrimit ekonomik dhe atij politik.

Një gabim, pasojat e të cilit po i paguajmë ende sot, me grindjet e vazhdueshme mbi drejtimin e institucioneve dhe me mungesën rëndësisë së një Evrope, e cila e kushtëzuar  nga parimi i unanimitetit të plotë në vendimmarrjet e mëdha, nuk e prek “topin” në asnjë nga krizat ndërkombëtare.

Sot, përballë perspektivës së një zgjerimi të ri të BE-së, dhe për shkak të paralizës dhe margjinalizimit, nuk e kemi më këtë luks. Diskutimi gjithsesi vazhdon, dhe nuk mungojnë propozimet:reduktimi i numrit të komisionarëve në Bruksel, përdorim i votimit me shumicë të thjeshtë, “qarqet koncentrike” me nivele të ndryshme integrimi, të sugjeruara së fundmi në studimin e një grupi ekspertësh francezë dhe gjermanë dhe të publikuar në shtator nën kujdesin e qeverive të tyre përkatëse.

Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbok, kishte të drejtë që e ngriti këtë çështje, duke folur për nevojën e “marrjes së vendimeve të guximshme” në funksion të zgjerimit të mëtejshëm, dhe duke shtuar madje se Gjermania është e gatshme “të bëjë edhe pa komisionerin e saj për një periudhë kohore”, pra duke supozuar një sistem me rotacion.

“Zgjerimi dhe reformimi i brendshëm i Bashkimit Evropian duhet të ecin paralelisht”-thotë Lorenca Bone, Ministre e Francës për Çështjet evropiane. Dhe të mërkurën mbi këtë çështje ndërhyri edhe ish-kryeministri italian Mario Dragi, duke deklaruar se Evropës “i duhet shumë, shumë më tepër integrim” që të jetë në gjendje të shprehë “një vizion politik unik dhe të fuqishëm”. E PLOTE