Një izraelit dhe palestinez tregojnë si dilet nga rrethi vicioz i urrejtjes dhe dhunës

Nga Jörg Schindler “Der Spiegel”

Historia e tyre është aq e jashtëzakonshme, sa që i ngjan më shumë si një skenar filmi. Dhe në fakt regjisori i famshëm Stiven Spielberg, ka blerë të drejtën për të sjellë atë në ekranin e madh. Palestinezi Basam Aramin dhe izraeliti Rami Elhanan, po përpiqen prej vitesh për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Ata janë anëtarë të një organizate të quajtur Rrethi i Prindërve, një grupim ku bëjnë pjesë të gjithë ata që kanë humbur fëmijët në konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Ndërkohë ata janë edhe miq të ngushtë me njëri-tjetrin. Madje i referohen njëri-tjetrit si vëllezër, pavarësisht se të dy kanë humbur nga një fëmijë në këtë konflikt të pafund.

Në shtatorin e vitit 1997,vajza e Elhanan,Smadar, po shkonte të blinte një libër bashkë me shoqen e saj, kur ra viktimë e një sulmi kamikaz të Hamasit. Ajo ishte vetëm 14 vjeçe. Ndërkohë në vitin 2007, vajza 10-vjeçare e Araminit, Abir, ishte duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi, kur u plagos për vdekje nga të shtënat pas shpine që erdhën nga një automjet që i përkiste policisë kufitare izraelite.

Në fillim, policia kufitare mohoi të ishte përgjegjës për vdekjen e vajzës, por një gjykatë civile doli në një përfundim tjetër. Megjithatë, autori i dyshuar që shkrepi armën nuk u përball kurrë me drejtësinë. Por Elhanan, 73 vjeç dhe Aramin, 55 vjeç, vendosën që të  mos i nënshtroheshin urrejtjes, dhe që nga ajo kohë kanë promovuar pajtimin dhe fundin e pushtimit izraelit të zonave palestineze.

Për këtë, ata janë akuzuar vazhdimisht si “tradhtarë”. Të dy janë vlerësuar me shumë çmime për paqen, dhe historitë e tyre të jetës janë rrëfyer në filma dokumentarë dhe libra. Elhanan ishte në Haifa dhe Aramin në Jeriko kur “Der Spiegel” zhvilloi me ta një video-intervistë.

Duke e përshëndetur, Elhanani i tha mikut të tij:”Vëlla! Nuk jemi parë prej kaq shumë kohësh!”. Në fakt, ai bënte shaka, pasi ata kishin dhënë tashmë disa intervista atë ditë,

të cilat aktualisht janë më të kërkuara se kurrë më parë.

Zoti Aramin, zoti Elhanan, ju thoni se çmenduria nuk do të ndalet nëse izraelitët dhe palestinezët nuk ulen të bisedojnë njëri-tjetrin. Çfarë mund të thoni pas asaj që ka ndodhur gjatë javëve të fundit?

Aramin:Është shumë e vështirë t’i përshkruash këto mizori. Ne e dinim që herët a vonë do të ndodhte diçka e tillë. Nuk është një surprizë e madhe. Por nuk e prisnim këtë numër kaq të madh vdekurish apo këto sulme të tmerrshme, sidomos kundër fëmijëve dhe grave. Ato janë të pajustifikueshme në asnjë rrethanë.

Pse nuk u habitët?

Aramin:Njerëzit nuk mund të durojnë për dekada vuajtjet nën një pushtim brutal. Për këtë arsye unë u kam thënë gjithmonë izraelitëve:Bëni paqe me ne tani që jeni më të fortë, dhe kur s’ka luftime. Përndryshe, do të kemi një luftë të egër, dhe askush nuk do të shqetësohet më për të drejtat e njeriut. Ne e dinim paraprakisht se mijëra civilë do të paguanin koston e këtij konflikti.

A e kuptoni pse njerëzit në mbarë botën po thonë, që ju duhet të qëndroni ose plotësisht pas izraelitëve apo plotësisht pas palestinezëve?

Elhanan:Jo. Kjo nuk është një lojë futbolli, ku t’i duhet të përqafosh ekipin tënd dhe të

jesh kundër ekipit tjetër. Ne u themi gjithmonë njerëzve:Mos jini pro-izraelitë apo pro-palestinezë. Jini pro paqes dhe kundër padrejtësisë. Ajo që po ndodh sot është një kasaphanë. Dhe nuk ka rëndësi nëse një terrorist i pret kokën një foshnje apo një pilot hedh një bombë 1- tonëshe mbi një shtëpi plot me civilë. Rezultati është i njëjtë.

A nuk është e tepërt të kërkosh nga prindërit e foshnjave të vrara apo të afërmit e civilëve të vdekur që të kuptojnë motivet e sulmuesve?

Aramin:Është e tillë, sidomos tani. Ata janë pllakosur nga një dhimbje eë padurueshme. Por ka një fakt:Ju nuk do t’i takoni më të dashurit tuaj. Për ta gjithçka ka mbaruar. Dhe si të hakmerresh për një fëmijë të vdekur? Duke vrarë fëmijët e të tjerëve? A jua lehtëson kjo dhimbjen?

Secili prej jush ka humbur një vajzë në këtë konflikt të pafund, Smadarin dhe Abirin. Por në njëfarë mënyre, ju arritët ta kapërceni urrejtjen. Si ia dolët?

Elhanan:Mendoj se e vetmja mënyrë, është ta kuptosh që nuk do ta shohësh më vajzën tënde. Dhe se ky cikël i pafund dhune nuk do të ndalet në rast se nuk flet kundër saj. Sigurisht, është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ne jemi prova se është e mundur.

600 anëtarët e organizatës sonë, Rrethi i Prindërve, e dëshmojnë këtë çdo ditë.

Ju nuk keni dashur asnjëherë të dëmtoni apo edhe të vrisni njerëzit që janë përgjegjës për vdekjen e vajzës suaj?

Elhanan:Unë nuk jam i tillë, nuk jam i dhunshëm. Në fillim isha shumë, shumë i zemëruar. Më shumë u revoltova për situatën që shkaktoi vdekjen e një vajze të pafajshme 14-vjeçare. Ajo nuk ishte ushtare. Nuk ishte pjesë e këtij konflikti. Në fakt, kur ishte 8-vjeçe Smadar i shkroi një letër presidentëve të Izraelit dhe Egjiptit, duke i nxitur ata të uleshin së bashku

dhe të pajtoheshin.

Vdekja e saj më shkaktoi një dhimbje të papërshkrueshme. Ajo më mbushi me shumë energji. Unë mund ta përdorja atë për të shkaktuar shkatërrim, errësirë ​​dhe vdekje. Ose mund të hakmerresha në një mënyrë tjetër, duke shkuar tek njerëzit e tjerë për t’u thënë se ka një mënyrë tjetër për t’u sjellë me njëri-tjetrin.

Po ju Basam, çfarë ju bindi të mos e përdornit atë dhimbje për të ushtruar dhunë?

Aramin:Kur vdiq Ebiri unë isha në një vend tjetër nga Rami. Kisha kaluar 7 vite në një

burg izraelit kur isha adoleshent, pasi gjuajta me gurë një tank izraelit. Më pas, u bëra bashkëthemelues i Luftëtarëve për Paqe me luftëtarët palestinezë dhe ish-ushtarët izraelitë. Një prej tyre ishte edhe djali i Ramit. Kështu, për vite me radhë, shumë kohë përpara se të vritej Abiri, mësova ta kuptoj shoqërinë izraelite, se si na presin këta njerëz, gjë që e tronditi në themele botëkuptimin tim. Unë gjithmonë them se është një fatkeqësi të zbulosh humanizmin dhe fisnikërinë e armikut tënd.

Në burg ju mësuat madje dhe hebraisht. Por a ju përgatiti e ajo për vdekjen e vajzës suaj?

Aramin:Nuk më përgatiti për dhimbjen dhe zemërimin. Ende sot jam i zemëruar për atë që i ndodhi time bije. Por më ndihmoi shikimi si viktimë i njeriut që e qëlloi, pra si viktimë të edukimit të tij, të shoqërisë së tij dhe të vetë profesionit.

E keni takuar ndonjëherë?

Aramin:Doja, por autoritetet izraelite nuk e lejuan të fliste me mua. E kam ndeshur vetëm

në gjykatë. I thashë:Ti nuk je një hero! Nuk vrave armikun, por vetëm një vajzë të pafajshme. Nëse je krenar për këtë, kënaqu me krimin tënd. Por po të dëshirosh ndonjëherë të vish tek unë për të kërkuar falje, unë do të të fal. Këtë s’do ta bëj për ty, por për veten, vajzën time të ndjerë dhe familjen time. Unë kam 5 fëmijë të tjerë dhe dua t’i shoh të rriten.

Jo shumë njerëz do të ishin në gjendje apo do dëshironin të reagonin në një mënyrë të tillë…

Aramin:Vëllai im Rami ma thotë gjithmonë:Jemi me fat që jemi ende qenie njerëzore. Ne mund të mendojmë. Mund të zgjedhim të ndërtojmë një urë dialogu, në vend se të hapim akoma më shumë varre.

Së bashku, ju të dy keni biseduar me mijëra nxënës shkolle, familje që kanë pasur të afërm të vrarë, ushtarë izraelitë, dhe madje edhe militantë palestinezë. Por reagimet nuk janë gjithmonë pozitive, apo jo?

Elhanan:Ndonjëherë mund të jetë shumë e vështirë. Një herë, një nxënës izraelit më tha se ishte për të ardhur keq që nuk më hodhën në erë bashkë me vajzën time. Në një shkollë palestineze, drejtori u tha fëmijëve të mos më dëgjonin, sepse unë do të dobësoja vullnetin për të luftuar për liri. Por ne i presim reagime të tilla.

Si e matni suksesin e lëvizjes tuaj për paqe?

Elhanan:Edhe kurvetëm një nga nxënësit me të cilët flasim, tund kokën në shenjë pohimi të asaj çfarë u themi, kjo është një mrekulli. Do të thotë se kemi shpëtuar një pikë gjaku. Në Judaizëm, një pikë gjaku është e gjithë bota.

Aramin:Ne po përballemi çdo ditë me këtë mur të trashë të kokëfortësisë. Dhe kur arrijmë të krijojmë të çara të vogla në të, ky është një sukses.

Ju keni thënë se vija ndarëse nuk është midis myslimanëve palestinezë dhe hebrenjve izraelitë, por midis atyre që nuk duan paqe dhe atyre që duan paqe dhe janë të gatshëm të paguajnë çmimin për të. Cili është ky çmim?

Elhanan:Çmimi është aftësia për të respektuar tjetrin që jeton pranë jush, ashtu siç dëshironi të respektoheni ju nga të tjerët. As më shumë e as më pak.

Marrë me shkurtime: “Der Spiegel”