Penguan punën e gazetarëve në Kuvend, reagon Garda e Republikës: Drejtuesit tërhoqën vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, kërkojmë mirëkuptim

Pas letrës së gazetarëve drejtuar Lindita Nikollës dhe Taulant Ballës, ku kërkohej ndërhyrja e tyre pasi Garda e Republikës nuk po i lejonte të bënin punën e tyre, ka ardhur edhe reagimi i Gardës.

Në reagim thuhet se drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme, teksa kanë kërkuar edhe mirëkuptimin e gazetarëve për rastet kur janë bërë pengesë për punën e tyre.

Reagimi i Gardës:

Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.

Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.

Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.