Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Soreca: Nuk u konsultuam, po e shqyrtojmë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca,  ka dalë në një konferencë të përbashkët me zv.kryeministren Belinda Balluku për progres-raportin e KE-së për Shqipërinë.

Në fjalimin që ai mbajti para mediave u pyet mbi marrëveshjen e vendit tonë me Italinë për të strehuar emigrantët e vendit fqinj. 

Sipas tij, Komisioni Europian nuk është konsultuar për këtë marrëveshje dhe aktualisht po bën vlerësimin e tij.

“Komisioni Europian është informuar, por jo konsultuar. E kemi marrë tekstin dy ditë më parë dhe po vijojnë vlerësimet. Teksti është hapi i parë dhe do të përkthehet në ligj, këtu do të bëjmë vlerësimin tonë. Pra, për momentin është e parakohshme që t’i japim vlerësim marrëveshjes”, deklaroi Soreca.

Sipas ambasadorit, ka ende detaje që duhet të identifikohen, ndërsa theksoi se BE dhe shtetet anëtarë mund të bashkëpunojnë me vende të tjera për emigracionin duke respektuar zbatimin e legjislacionit të BE dhe konventave ndërkombëtare.

“Ka detaje që duhen identifikuar. Për momentin është e parakohshme të japim vlerësim për dokumente që për momentin kanë vlerë politike dhe jo ligjore. Në çdo rast BE dhe shtetet anëtarë mund të bashkëpunojnë me vende të tjera për emigracionin duke respektuar zbatimin e legjislacionit të BE dhe konventave ndërkombëtare”, u shpreh Soreca.