Mori 200 mijë lekë për 4 vota në favor të PS-së, dënohet me 1 vit burg Gëzim Paplekaj

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit burg Gëzim Paplakeja, i cili në një video të publikuar në rrjetet sociale deklaronte se kishte marrë 200 mijë lekë të vjetra për të siiguruar 4 vota në favor të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit.

Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe është dënuar nga gjyqtarët Erjon Çela, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani. Për shkak të gjykimit të shkurttuar, ai do të vuajë 8 muaj heqje lirie.

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 25.07.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit G.P akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

2. Fakti penal i atribuar të pandehurit G.P ka të bëjë me marrjen e një shume prej 20.000 (njëzet mijë) lekë, në këmbim të sigurimit të katër votave, për të votuar në favor të subjektit politik Partia Socialiste, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të zhvilluar më datën 25.04.2021.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, bazuar në nenin 328/b të Kodit Penal, si dhe në nenet 4/2, 190/1, 390, 406/1 393/1 dhe 485 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 74, datë 09.11.2023 vendosi:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit G.P, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” e parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
  2. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësiperme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri G.P me 8 (tetë) muaj burgim.
  3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin G.P fillon nga dita e zbatimit të këtij vendimi dhe do të vuhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
  4. Në bazë të nenit 190/1 të K.Pr.Penale provat materiale një CD dhe një DVD me pamjet filmike të mbeten pjesë e fashikullit.
  5. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe shpenzimet gjyqesore i lihen në ngarkim të pandehurit.
  6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brënda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Tiranë, më datë 09.11.2023

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar