Gjykata e Strasburgut merr vendim për çështjen ‘Gërdeci”: Shkelje ndër vite, shteti shqiptar të dëmshpërblejë të dëmtuarit

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka konstatuar shkelje ndër vite të Konventës së të Drejtave të Njeriut për çështjen “Gërdeci”, ndërsa ka kërkuar që shteti i paditur duhet të dëmshmërblejë familjarët.

Teksa kjo çështje ndodhet në Gjykatën e Posaçme me kërkesë të SPAK, Strasburgu thotë se kërkuesve iu ishte hequr mundësia për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjykimin penal. 

Sipas vendimit të Strasburgut, familjarët e viktimave do duhej të ishin bërë pjesë e procesit që prej fillimit, ndërsa hetimi për ish-ministrin Fatmir Mediu është zvarritur.

Në vendim thuhet se shteti i paditur duhet të dëmshpërblejë kërkuesit brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë.

“Shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme:  bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, plus çdo taksë që mund t’u ngarkohet atyre, në lidhje me kostot dhe shpenzimet; që nga skadimi i tre muajve të sipërpërmendur deri në shlyerje, do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindjeje”, thuhet në vendimin e Strasbugut.

Personat që dërguan çështjen në Strasburg janë Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, prindërit e të ndjerit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj,  Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci,  Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu dhe Esmeralda Sefaj.

Gjykata konstaton se zgjedhja e Gërdecit si vend i objektit të çmontimit të armëve ishte bërë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e shtetit. Zona nuk ishte licencuar për ruajtjen dhe demontimin e municioneve. Zona e Gërdecit, e cila administrohej nga Ministria e Mbrojtjes, nuk ishte licencuar për t’u përdorur si depo municioni. Një operacion i përmasave të tilla nuk duhet të ishte kryer kurrë në një vendndodhje afër rrugëve publike dhe banesave.