Ligji i ri për strehimin social ka marrë sërish sot miratimin e Komisionit të Ligjeve për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nën drejtimin e kryetares Klotilda Bushka.
Janë bashkitë ato që do të menaxhojnë gjithë këtë procedurë.
Në ndryshimet e propozuara kuvendit, ndër më të rëndësishmit është përfshirja e punonjësve të administratës publike në strehimin e përballueshëm. Rreth 130 mijë punonjës të administratës kanë mundësi të aplikojnë në programet sociale në bashkitë respektive. Gjithashtu punonjësit publikë do të kenë mundësinë të marrin edhe kredi me normë fikse 3%, ndërsa pjesa tjetër e interesit do të subvencionohet nga buxheti i shtetit.
Në Komision u tha se përsa u përket banesave sociale që ndërtohen dhe jepen me qira, nuk do të lejohen të shiten asnjëherë. Ligji i vjetër i strehimit lejonte që pas 10 vitesh qiraje, banesat mund të shiteshin. Ligji mban në fuqi taksën 3% për ndërtuesit që marrin leje ndërtimi mbi 2000 metra katrorë. Nëse nuk mund të jepen si sipërfaqe fizike, ligji parashikon kompensimin në vlerë, që depozitohet në fondin social të strehimit. Bashkitë në hartimin e programeve të strehimit jo më pak se 5% do duhet t’i plotësojnë me familje të minoriteteve rome dhe egjiptiane, një mënyrë kjo që ata të marrin një trajtim preferencial. Viktimat e dhunës në familje përfitojnë pasi shmangin sistemin e pikëzimit, duke u parë me prioritet pasi kalojnë në mënyrë automatike si përfituese.
Gjithashtu në ligjin e ri, termi, çift i ri është zëvendësuar me familje e re. Por, anëtari i familjes së re, që do bëjë kërkesë të hyjë në programin e strehimit nuk mund të jetë mbi 38 vjeç. Ndryshime ka edhe për termin të ardhura familjare, ku sipas ligjit do të përfshihen ato që sigurohen nga pagat, veprimtaria ekonomike, interesat e depozitave bankare, të ardhura nga persona të tretë, qiratë nga prona të paluajtshme.
Për kërkesat e strehimit social në çdo bashki tashmë aplikimet do të kalojnë në e-albania, ku digjitalizimi është një tjetër pikë kryesore e ligjit të ri.
Sa i takon fondit social të banesave, ky është një program që ka ecur në pjesën më të madhe të bashkive të mëdha, ndërsa tek bashkitë e vogla procedura nuk po zhvillohet siç duhet.
Çdo institucion shtetëror do të shqyrtojë kërkesat e kredive për strehim të punonjësve të tyre, ndërsa kuotat e kredive të reja do të miratohen çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Kredia konvertohet drejtpërdrejt në kredi tregtare në rastet kur punonjësi i administratës jep dorëheqjen pa kaluar pesë vite pas miratimit të kredisë ose shkarkohet me shkelje. Ndërkohë me kredi me 0% interes do trajtohen familjet e policëve të rënë në detyrë.