Elton Qyno
Të gjithë koordinatorët e Shtabit Elektoral të Fredi Belerit, kandidatit fitues në zgjedhjet e 14 Majit 2023, i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë Himarë, rezultojnë të jenë vënë në përgjim me qëllim arrestimin e tyre për veprime korruptive në blerjen e votave.
Shtatë persona, mes tyre vetë kandidati i arrestuar në 12 maj në Himarë, Alfred Beleri dhe bashkëpuntori i tij, Pandeli Kokaveshi, ishin vënë në përgjim nga gjykata e Vlorës, e cila caktonte prokurorinë dhe policinë, të kryenin përgjime, fotografime dhe njekjen e tyre në teren.
E gjitha kjo duhet të kryhej brenda një periudhe 15 ditore, duke filluar nga data 8 Maj 2023.
Kështu që prej kësaj dite personat e identifikuar nga gjykata si Alfred Beleri, Sihat Guraj, Bashkim Devacaj, Andrea Zeneli, Koço Balla, Bledar Jonushaj dhe Pandeli Kokaveshi, janë përgjuar dhe ndjekur në teren nga forcat policore.
Të gjithë këta persona ishin pjesë e shtabit elektoral të kandidatit Alfred Beleri, për të cilët policia dhe prokuroria informonin gjykatën e Vlorës, se kryenin blerjen e votave me euro dhe lek, ushtronin presionin tek banorët e Himarës se nëse nuk votonin Fredi Belerin, do i hiqnin pensionin apo pasaportat greke.
Ndjekja e tyre është ndërprerë vetëm në mesnatën e 12 Maji 2023, kur policia arrestoi Alfred Belerin, Pandeli Kokaveshin dhe shoqëroi të gjithë personat që ishin vënë në përgjim.
Megjithëse policia i shoqëroi në mesnatën e 12 Majit, për 5 nga personat e përfshirë në këtë hetim, përgjimi telefonik ka vijuar dhe për 11 ditë të tjera, duke zbatuar afatin 15 ditor të caktuar nga gjykata e Vlorës.
Gjatë vëzhgimeve dhe përgjimeve Sihat Guraj, Bashkim Devacaj, Andrea Zeneli, Koço Balla, Bledar Jonushaj, policia nuk mundi të gjejë prova ligjore për implikimin e tyre në veprimtarinë e blerjes së votave për llogari të kandidatit të kualicionit “Bashkë Fitojmë”, Alfred Beleri.
Pesë nga koordinatorët janë lënë të lirë, ndërsa arresti i është komunikuar vetëm Alfred Belerit dhe Pandeli Kokaveshit.
Një ditë më parë, Kokaveshi mundi të lirohet nga burgu nga gjykata e Apelit të Posaçëm në Tiranë, ndërsa Alfred Beleri fituesi i zgjedhjeve të 14 Majit në Bashkinë Himarë, vijon të qëndrojë në burg.