Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura në vitin 2005.
SPAK ka kërkuar 25 vjet burg për Emiljano Shullazin, Viktor Bajraktarin (Imeraj), Indrit Taullain, Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn dhe Indrit Rusin.
Ndërkohë, për Luftar Reçin, i cili mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, SPAK ka kërkuar një dënim prej 8 vitesh burg.
Tashmë pritet që trupi gjykues të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë dhe të japë vendimin përfundimtar për çështjen.
Dy ngjarjet kriminale të shkurtit 2005
Klodian Saliu u ekzekutua mbrëmjen e 26 shkurtit 2005, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit. Automjeti me të cilin udhëtonte u qëllua me breshëri automatiku, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Një ditë më vonë, më 27 shkurt 2005, një tjetër shpërthim i fuqishëm tritoli në ashensorin e pallatit ku banonte Vajdin Lame në Tiranë i mori jetën atij dhe mikut të tij, Artan Arsit.