Shtatë fëmijë nga Kopshti nr. 10 në Vlorë janë paraqitur në pediatri për ndihmë mjekësore, pasi mbrëmjen e kaluar kanë shfaqur shqetësime shëndetësore, me dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme. Dyshimet paraprake janë për një helmim të mundshëm nga ushqimi i konsumuar në kopsht.
Nga shtatë fëmijët e paraqitur në spital, pesë janë shtruar dhe vijojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa dy të tjerët kanë marrë shërbim ambulator.
Ndërkohë, shqetësimi është shtuar edhe nga raportimet e prindërve të tjerë, të cilët kanë bërë me dije se edhe fëmijët e tyre kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por janë trajtuar në banesë dhe nuk janë dërguar në spital.
Pas evidentimit të rasteve, spitali ka njoftuar Institutin e Shëndetit Publik. Specialistët kanë marrë mostrat përkatëse për analiza laboratorike, ndërsa tashmë pritet përgjigjja e tyre për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore dhe nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor.