Kolapsi i bankës shkakton krizë kombëtare, shkarkohet dhe arrestohet presidenti Santiago Pena

Presidenti i Paraguajit, Santiago Peña, është shkarkuar nga detyra dhe është vendosur në arrest shtëpiak, pas një krize financiare të shkaktuar nga kolapsi i një banke, e cila la më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit pa mundësi për të aksesuar llogaritë e tyre bankare.

Peña u arrestua të premten, vetëm pak minuta pasi ligjvënësit, përfshirë edhe anëtarë të partisë së tij, votuan njëzëri për shkarkimin e tij nga detyra. Vendimi erdhi pas falimentimit, në fillim të kësaj jave, të Ueno Bank, një institucion financiar që kishte lidhje me interesat e tij private të biznesit.

Një ditë më parë, Peña kishte ofruar të jepte dorëheqjen. Megjithatë, në vend që ta pranonin atë, senatorët vendosën ta shkarkonin përmes procedurës së impeachment-it, duke e akuzuar për shkelje të detyrës. Ky vendim i ka hequr atij imunitetin që zakonisht gëzojnë ish-presidentët.

Peña, i cili deri vitin e kaluar zotëronte aksione në kompaninë që kishte në pronësi bankën, ka mohuar çdo përgjegjësi për ngjarjet.

Akuzat që çuan në shkarkimin e tij përfshijnë konfliktin e interesit, ndërhyrjen në mbikëqyrjen rregullatore, devijimin e fondeve të pensioneve dhe përfshirjen në një përpjekje institucionale për të fshehur ngjarjen, ku pretendohet se ka qenë e përfshirë edhe banka qendrore.

Prokurorja Silvia Margarita Gonzalez Vester bëri të ditur se Peña pritet të merret në pyetje të shtunën lidhur me akuzat për shpërdorim të besimit, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe përvetësim të fondeve.

Zëvendëspresidenti i tij, Pedro Alliana, është betuar si president i përkohshëm dhe ka premtuar se nuk do t’i braktisë miliona qytetarët e prekur nga skandali.

“Bashkëqytetarët tanë, të cilët po kalojnë një periudhë të vështirë si pasojë e kolapsit financiar, do të dëmshpërblehen plotësisht”, deklaroi Alliana, i cili do të qëndrojë në krye të presidencës deri në vitin 2028.

Kolapsi bankar shkakton zemërim dhe protesta në mbarë vendin

Rënia e bankës dixhitale, pas marrjes së saj nën kontroll nga Banka Qendrore e Paraguajit, la më shumë se gjysmën e popullsisë pa mundësi për të aksesuar kursimet e veta.

Të martën dhe të mërkurën, radhë të gjata qytetarësh që përpiqeshin të tërhiqnin paratë nga degët e Ueno Bank u shtrinë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, Asunción.

Sipas vlerësimeve, rreth tre milionë depozitues vijojnë të mos kenë akses në kursimet dhe fondet e tyre të pensionit. Kjo situatë ka shkaktuar zemërim të madh publik, veçanërisht në kryeqytet.

Në përgjigje të krizës, në të gjithë vendin shpërthyen protesta. Të enjten, mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar kthimin e parave të tyre.

Në protestat e mëparshme pati edhe përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat.

Procedura për shkarkimin e Peña-s u miratua me 44 vota pro nga 45 senatorë. Një ligjvënës mungoi në votim.

“Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të tradhtoja besimin që më keni dhënë”, deklaroi Peña në një video të publikuar në rrjetin social X, përmes së cilës njoftoi dorëheqjen. Ai shtoi se përparësia e tij ishte “qetësia shpirtërore e qytetarëve të Paraguajit, të cilët ua besuan kursimet e tyre sistemit tonë financiar”.

Pas votimit, kryetari i Senatit, Basilio Núñez, deklaroi se Peña ishte shpallur fajtor për “neglizhencë në përmbushjen e detyrave”.

Senatori Rafael Filizzola u shpreh:

“Jemi përballë skandalit më të madh të korrupsionit në historinë tonë demokratike – një goditje e jashtëzakonshme për shtetin, qytetarët dhe besueshmërinë e imazhin e vendit.”

Analistët vlerësojnë se Peña tashmë mund të përballet me ndjekje penale për shkak të kolapsit të bankës.

Nga ana tjetër, avokati i tij mbrojtës, Ricardo Preda, i cilësoi akuzat si “akuza të pamatura”, duke i përshkruar ato si “të papërgjegjshme dhe oportuniste”.