Ishte nisur për të shitur një pistoletë, arrestohet i ‘forti i Saukut’

Ka rënë në prangat e policisë një 49-vjeçar me precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe për armëmbajtje.

I arrestuari është Eduart Dushku, i njohur edhe me emrin Edison Dushku dhe nofkën “i forti i Saukut”, i cili u kap me armë zjarri me municion, të cilën dyshohet se do ta trafikonte.

Këtë të fundit u sekuestruan nga policia, së bashku me motomjetin me të cilin lëvizte dhe një jelek antiplumb.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksponenti”

Arrestohet në Rrugën e Elbasanit, duke transportuar armë zjarri, me motomjet, një 49-vjeçar me precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe për armëmbajtje.

Sekuestrohen 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, jeleku antiplumb që i arrestuari kishte në banesë, si dhe motomjeti dhe celulari i tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Eksponenti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Motomjeti me të cilin lëvizte ky shtetas, u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit.

Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.