Zbardhet ngjarja e rëndë në Bulqizë, Urim Fiku u vra nga bashkëshortja dhe djali

Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës, ku një 57-vjeçare dhe djali i saj 33-vjeçar janë arrestuar nga policia, pasi dyshohet se kanë vrarë kryefamiljarin, Urim Fiku.

Fillimisht, familjarët e viktimës raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se 57-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.

Gruaja dhe djali, njofton policia, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse Urim Fikun.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.

“Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë. Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri”, tha policia.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve: S. F., 57 vjeçe; G. F., 33 vjeç; të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).

“Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim”, tha policia.