Buxheti 2027, vijon djegia e parave të shqiptarëve, inceneratori i Tiranës përfiton 36 mln euro për tre vitet në vijim

Qeveria parashikon të shpenzojë rreth 10 miliardë lekë (rreth 108 mln euro) ose afërsisht 100 milionë euro, për pagesat e kontratave koncesionare dhe të Partneritetit Publik-Privat (PPP) në vitin 2027, prej të cilave 1 miliardë lekë ose me rreth 11 milionë euro shkojnë për Inceneratorin e Tiranës një objekt që është nën hetim nga SPAK dhe ka dështuar të ndërtohet.

Kontrata për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend- depozitimeve ekzistuese të Tiranës do të marrë 1 miliard lekë në vitin 2027, nga 1.33 miliardë lekë të planifikuara në vitin 2026. Në vitet pasardhëse, pagesat për këtë kontratë parashikohen të rriten në 1.1 miliardë lekë në vitin 2028 dhe 1.2 miliardë lekë në vitin 2029. Deri në vitin 2029 incineratori financohet me 3,3 miliardë lekë ose 36 milionë euro.

Sipas tabelave të projektbuxhetit, shpenzimet për këto kontrata do të jenë 10.05 miliardë lekë, nga 12.71 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin e rishikuar të vitit 2026, me një ulje prej 2.67 miliardë lekësh, ose rreth 21% për shkak të përfundimit të afateve të disa kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë, për të cilat nuk parashikohen më financime në vitin 2027. Në total, këto tri kontrata të shëndetësisë kishin një financim të planifikuar prej rreth 2.1 miliardë lekësh në vitin 2026.

Për kontratën e përmirësimit të infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës janë planifikuar 655.4 milionë lekë në vitin 2027, nga 716.2 milionë lekë në vitin 2026.

Edhe pse tre kontratat PPP në sektorin e shëndetësisë kanë përfunduar do të vijojë të ketë pagesa të konsiderueshme për ofrimin e shërbimeve laboratorike spitalore janë parashikuar 2.2 miliardë lekë në vitin 2027, në të njëjtin nivel me buxhetin e rishikuar të vitit 2026. Pagesat për këtë kontratë parashikohen të rriten në 2.35 miliardë lekë në vitin 2028 dhe 2.5 miliardë lekë në vitin 2029.

Kontrata me pagesën më të lartë të parashikuar për vitin 2027 mbetet ajo për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit, për të cilën janë planifikuar 3.36 miliardë lekë.

Kjo shumë është e pandryshuar krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026. Pagesa në të njëjtin nivel parashikohet edhe për vitet 2028 dhe 2029.

Për kontratën e subvencionimit të ndërtimit, përmirësimit, shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot–Morinë, pagesa e parashikuar është 590 milionë lekë, nga 660 milionë lekë në vitin 2026.

Ndërsa për ndërtimin dhe operimin e portit të jahteve Orikum–Dukat janë planifikuar 767 milionë lekë, nga 860 milionë lekë në vitin 2026.

Në total, pagesat për këto tri kontrata në infrastrukturën rrugore dhe portuale do të arrijnë në rreth 4.72 miliardë lekë, ose afërsisht 47% të të gjitha shpenzimeve të parashikuara për PPP-të në vitin 2027.

Një tjetër kontratë me peshë të konsiderueshme në buxhet mbetet shërbimi i skanimit në dogana. Për këtë koncesion, që administrohet nga Ministria e Financave, janë planifikuar rreth 1.48 miliardë lekë në vitin 2027, nga 1.48 miliardë lekë në buxhetin e rishikuar të vitit 2026.

Pagesat parashikohen të rriten në 1.52 miliardë lekë në vitin 2028 dhe në 1.57 miliardë lekë në vitin 2029.