Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren.
Fjalën i pari e mori Sali Berisha, i cili lëshoi akuza të forta ndaj deputetëve të mazhorancës, duke u shprehur se ata meritojnë gazin lotsjellës dhe kockat e thyera, dhe jo studentët që protestojnë.
“Të dashur qytetarë, java dhe ditët që kaluam, Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë. Në rrugët e Tiranës u thyen kockat e të rinjve, u çanë kafkat, u përdorën mjetet më të egra kundër të rinjve. Këta parlamentarë janë më kriminelë se ata që çajnë kafka dhe thyejnë kocka. Meritojnë këta gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kockat e thyera, plumbat e gomës.”, tha ai.
Pas këtyre fjalëve, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, i hoqi të drejtën e fjalës për të gjithë seancën plenare, pasi sipas tij, Berisha bëri thirrje për dhunë.