Tragjedia hekurudhore në Spanjë, Sanchez shpall tri ditë zie kombëtare

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u zotua të mërkurën, më 28 tetor, se do të zbardhë shkaqet e përplasjes mes dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjën qendrore, ku humbën jetën 68 persona. Ai njoftoi gjithashtu shpalljen e tri ditëve zie zyrtare.

“Nëse ka pasur neglizhencë, ajo do të zbardhet. Nëse ka pasur mangësi në sistemin e sigurisë, ato do të trajtohen me vendosmërinë më të madhe”, deklaroi Sanchez në Toledo.

Duke iu referuar tragjedisë hekurudhore në Adamuz, në janar, kryeministri theksoi se është e papranueshme që një vend si Spanja të përjetojë dy aksidente me trenat me shpejtësi të lartë brenda të njëjtit vit.

Sanchez vuri në dukje se shkaqet e dy aksidenteve ka shumë të ngjarë të mos kenë lidhje me njëri-tjetrin. Megjithatë, ai theksoi se përcaktimi i tyre u takon Komisionit të Pavarur për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore, autoriteteve gjyqësore dhe operatorëve hekurudhorë Adif dhe Renfe.

Kryeministri u zotua se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të forcuar sigurinë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te sistemi hekurudhor spanjoll me shpejtësi të lartë.

Ai njoftoi gjithashtu se qeveria do të shpallë tri ditë zie zyrtare, më 29, 30 dhe 31 tetor.

Përplasja ndodhi në orën 08:54 sipas kohës lokale (07:54 GMT), në segmentin mes Urda-s dhe Los Yébenes-it, në provincën e Toledos.

Ministri i Transportit, Oscar Puente, deklaroi se një defekt në komunikim kishte nxjerrë jashtë funksionit sistemin e sinjalistikës në një segment hekurudhor prej 63 kilometrash, duke bërë që të gjithë trenat në atë pjesë të ndalonin automatikisht.

Sipas Puentes, qendra e kontrollit e Adif-it në Madrid më pas autorizoi lëvizjen e trenit AVE, pavarësisht sinjalit të kuq. Treni përshkoi rreth 25 kilometra përpara se të përplasej me trenin Iryo, i cili ishte i ndaluar në shina.

Presidenti i qeverisë rajonale të Kastiljes-La Mançës, Emiliano García-Page, tha se 44 persona humbën jetën në bordin e trenit Iryo dhe 24 në trenin AVE. Ai shtoi se 53 të plagosur, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë, po merrnin trajtim në spital.

García-Page nuk pranoi të komentonte mbi shkaqet e mundshme të aksidentit, duke thënë se vlerësimet paraprake dukeshin “koherente”, por se nuk i takonte atij të prononcohej për këtë çështje.

Të gjitha partitë politike, me përjashtim të partisë së ekstremit të djathtë Vox, anuluan aktivitetet elektorale të planifikuara për të mërkurën. Kreu i Vox-it, Santiago Abascal, fajësoi kryeministrin Sanchez për aksidentin, duke akuzuar qeverinë e tij se “ka shkatërruar absolutisht gjithçka”.

Udhëheqës evropianë, mes tyre kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, shprehën ngushëllimet e tyre për viktimat dhe familjet e tyre.

Aksidenti ndodhi nëntë muaj pas tragjedisë hekurudhore në Adamuz, në jug të Spanjës, ku humbën jetën 46 persona dhe u plagosën më shumë se 120 të tjerë.

Ky është aksidenti hekurudhor më vdekjeprurës në Spanjë që nga dalja nga shinat e një treni pranë Santiago de Compostela-s, në vitin 2013, ku humbën jetën 80 persona.