Gjykata Administrative e Apelit pezullon bojkotin e avokatëve në GJKKO

Gjykata Administrative e Apelit ka pezulluar vendimin e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për bojkotin e proceseve gjyqësore, që ka sjellë zvarritjen e shumë seancave, përfshirë këtu ato ndaj ish-presidentit Ilir Meta, apo edhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Më datë 8 shtator, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore, në shenjë proteste ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që u ndalon avokatëve përdorimin e telefonave celularë brenda ambienteve gjyqësore.

Ndërkohë më vonë ata vendosën të bojkotonin edhe seancat për masat e sigurisë.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar një rregullore të re, e cila përcakton një sërë rregullash për hyrjen në godinë, ndjekjen e seancave gjyqësore dhe aktivitetin e medias.

Kjo praktikë është kundërshtuar nga palët e prekura nga këto masa kufizuese, ndaj kanë kërkuar rishikimin e saj, pasi e cilësojnë si pengim të punës së tyre.