Sot, më 8 Janar 2025, bëhet plot 3 vite nga protesta e dhunshme në selinë e Partisë Demokratike, ku demokratët e ndarë në dy grupe përdorën grushta e sende të forta ndaj njëri-tjetrit.
Nga njëra anë ishte Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesnin, të ngujuar në selinë e fortifikuar me dyer të blinduara, ndërsa nga ana tjetër Sali Berisha me besnikët e tij dhe qindra demokratë të “armatosur” mirë me shkopinj, leva e gurë.
Qëllimi i protestës së thirrur nga “Rithemelimi” ishte i qartë, të merrej në zotërim selia e PD-së, në çdo formë të mundshme.
Për më shumë se 2 orë, demokratët u rrahën me njëri tjetrin për një godinë, teksa duhej ndërhyrja e policisë që të shpërndaheshin protestuesit, ku u përdor edhe gaz lotsjellës për shkak të rezistencës së tyre.
Protesta e 8 Janarit la pas dyer të shkatërruara, dritare të thyera, shkopinj, leva e gurë të shpërndara kudo, si për të treguar se lufta për pushtet brenda PD-së e kalonte çdo limit.
Sot, 3 vite pas asaj proteste të dhunshme, një pjesë e deputetëve që ndodheshin brenda godinës me Lulzim Bashën, janë kthyer kundër këtij të fundit dhe janë bashkuar me Sali Berishën, që i sulmonte nga jashtë.
E tillë është politika, pasi siç thotë një shprehje: Politikanët janë si kameleonët, ndryshojnë ngjyrë, por kurrë lëkurën.