Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani gjatë një takimi me gazetarët, ka folur për disa çështje të rëndësishme, si ajo e kryebashkiakut Erion Veliaj, krimet zgjedhore apo edhe për draftin e Kodit të ri Penal.
Për këtë të fundit, kreu i SPAK tha se nuk janë bërë pjesë e hartimit të tij dhe nuk është njohur me të për të dhënë një qëndrim zyrtar. Megjithatë shton se ka nevojë ndryshime në disa nene të tij.
“Për debatin e Kodit te ri Penal, ka një rendësi jetike për shtetin ligjor, priten diskutime është normale. Debati i parë duhet të ishte bërë, a ishte i nevojshëm Kodi i Ti apo te punohej mbi kodin aktual. Un vetë besoj që ka nevoje për ndryshime, për shembull neni për narkotiket, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës. është një draft, ne se kemi marrë zyrtarisht, nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kur të na vij do e analizojmë dhe do mbajmë një qëndrim”, tha Dumani.
Ndërkohë ai u pyet nga gazetarët në lidhje me 7 pyetjet që kryebashkiaku Erion Veliaj i drejtonte SPAK, ndërsa akuzonte Prokurorinë e Posaçme se ka shkelur parimet e ruajtjes së sekretit hetimor dhe prezumimin e pafajësisë.
Dumani tha se në rastin konkret, SPAK nuk ka pse të reagoj, por shtoi se të pandehurit, duke iu referuar Veliaj do t’i përgjigjen me dokumente dhe me prova në proces gjyqësor. Më tej, ai shtoi se dosja Veliaj është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale.
“Nuk i kam lexuar pyetjet e të pandehurit, patjetër ka dhe raste kur institucioni e shikon të arsyeshme se duhet të reagojë, ka pasur reagime. Në rastin konkret nuk kemi asgjë për të reaguar. Ne i garantojmë të drejtat të pandehurit në proces dhe i përgjigjemi me dokumente dhe me prova. Në nuk komunikojmë me të pandehurin në një formë tjetër”, tha Dumani për gazetarët.
Dumani foli edhe për krimet zgjedhore duke thënë se strategjia e ngritur dha efekt parandalues, duke vlerësuar këtu edhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Fokusi kryesor është krimi zgjedhor. Pritëm që KQZ-ja të shpërndante mandatet dhe të konsiderohej i mbyllur procesi zgjedhor. Jeni informuar herë pas herë për krimin zgjedhor. SPAK ka qenë i angazhuar që në mars e deri në përfundim të procesit zgjedhor. Strategjia pati, së pari efekt parandalues dhe e ka dhënë këtë efekt. Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte efektiv”,- është shprehur Dumani.
Dumani është pyetur nga gazetarët edhe në lidhje me kufizimin e kompetencave të institucionit që ai drejton.
“Nëse politika vendos të mos bëjë ndryshime apo që SPAK nuk është më i nevojshëm apo ti reduktojmë pavarësinë ky është vendim i politikës. SPAK u krijua edhe si rezultat i vullnetit te partnereve ndërkombëtar, është institucioni më i besuar, e kemi ndërtuar këtë besim në 5 vite e 8 muaj punë”, tha Dumani.