“500 mln euro në muaj”/ Emisioni investigativ “Le Iene” i drejtohet Ramës: Ndalo Call Center-at mashtrues!

Emisioni investigativ “Le Iene” ka bërë një investigim në lidhje me Call Center-at në Shqipëri që mashtrojnë qytetarët italianë, duke u premtuat investime të sigurta.

Gazetari Luigi Pelazza është rikthyer në Shqipëri, pas operacionit të SPAK pak javë më parë ku në pranga kanë rënë 8 persona.

Sipas Le Iene, janë rreth 25 mijë konsulentë që veprojnë kryesisht nga Tirana. Një biznes kriminal që vlerësohet rreth 500 milionë euro në muaj, e ngjashme me atë të një organizate të fuqishme të trafikut të kokainës. 

Gazetari italian ka biseduar me disa ish-operatorë të këtyre Call Center-ave, të cilët i kanë treguar atij disa detaje tronditëse.

Sofia, një 35-vjeçare e cila ka kontaktuar direkt gazetarin italian, ka treguar historinë e saj me një Call Center mashtrues në rrugën e Kombinatit. Sofia në fillim ka menduar se gjithçka ishte e ligjshme, por shpejt ka kuptuar se aty flitej vetëm për mashtrim. Madje ajo i tregon gazetarit edhe një detaj, të momentit kur “Le Iene” po ndiqnin operacionin e SPAK në kullën e gjelbër. Dëshmia e saj tregon se operacioni ishte dekonspiruar, pasi një orë përpara ndërhyrjes së autoriteteve, operatorët ishin njoftuar të mos paraqiteshin në punë. Këtu gazetari ngre dyshimin se kjo histori nuk ka të bëjë më me 4 policë të korruptuar, por me diçka shumë më të madhe dhe gjithëpërfshirëse.

Iliri është një tjetër operator i cili ka një eksperiencë të gjatë 10 vjeçare në sektorin e call center-ave. Ai ka ndihmuar gazetarët për ndërtimin e hartës së disa call center-ave në disa zona të qendrës së kryeqytetit.

Në bisedën me të, gazetarit i thuhet se i përfshirë në këtë aferë mashtruese është një ish-deputet i Partisë Socialiste, pa përmenduar emrin se për cilin bëhej fjalë dhe një person shumë i njohur, vëllai i një njeriu tepër të rëndësishëm në Shqipëri.

Sipas denoncuesit me emrin Ilir, është ky person i cili ka financuar hapjen e call center-ave dhe më pas i menaxhon me të ashtuquajturit prestanome.

Pas këtyre dëshmive, gazetari me hartën e call center-ave në dorë, merr kontakt me dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati dhe ndihmësi i tij Virson Stroka. Të dy premtojnë se do të ndërhyjnë shpejt, por kalojnë më shumë se tre javë dhe gazetari nuk merr asnjë përgjigje. Në këto kushte gazetari i “Le Iene” kupton se diçka nuk shkon.

Më tej, gazetari italian ka kërkuar të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama, por edhe pse qëndroi për disa orë posjtë zyrës së tij, por takimi nuk u realizuar.

Për këtë arsye, gazetari i “Le Iene”, në emisionin e transmetuar një ditë më parë ju drejtua me një thirrje publike kryeministrit Edi Rama, për të ndërhyrë, për t’i dhënë fund kësaj praktike mashtrimi.