Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimet për të pandehurit për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, si dhe shokëve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdiaj, ngjarje këto të ndodhura 4 vite më parë në qytetin e Durrësit.
Apeli i GJKKO ka dënuar me 25 vite burg Klevis Allën ndaj të cilit rëndojnë disa akuza, me 6 vite burg Besian Xhixhën dhe 5 vite burg Enver Divën për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”
Për Klevis Allën, gjykata pushoi çështjen ndaj tij për akuzën “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Kujtojmë se Klevis Alla e humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë pasi dha deklarata të rreme lidhur me vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe shokëve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, duke thënë se autorë ishin Talo Çela dhe Altin Ndoci.
Por dëshmia e Allës ka rënë në kontraditë me ato të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka dëshmuar se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje në Durrës. Prokuroria mori në konsideratë dëshminë e Dumanit dhe Ndoci u shpall i pafajshëm.