39-vjeçari kërcënoi me armë punonjësit e Task Forcës në Pogradec, policia arreston dy miqtë e tij, e ndihmuan që të arratiset

Dy persona janë arrestuar nga policia në Pogradec pasi kanë larguar dje nga vendi i ngjarjes Spartak Çelën i cili kërcënoi me armë punonjësit e Task Forcës.

Raportohet se A. H., 40 vjeç dhe B. H., 38 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë larguar me automjet nga vendi i ngjarjes Çelën, i cili ishte në kërkim nga policia për vrasje të mbetur në tentativë.

Për këtë arsye ata tashmë janë në pranga ndërsa vijojnë kërkimet për Spartak Çelën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit A. H., 40 vjeç dhe B. H., 38 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë. Nga veprimet hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Buzaishtë, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë larguar me automjet nga vendi i ngjarjes, autorin e dyshuar, shtetasin S. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec”, njofton policia.